Një muaj paraburgim për të dyshuarit për vjedhje të rëndë në Hajvali

IMG_1433
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Qershor 11, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të martën, ua ka caktuar nga një muaj paraburgim Muharrem Kosumit dhe Leondrit Kryeziut, nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë  kryer veprën penale ”vjedhje e rëndë”.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, me ç’rast është shqyrtuar kërkesa për caktimin e paraburgimit nga prokurorja e rastit Hava Krasniqi, gjykatësi i procedurës paraprake, Ertan Sejfulla, të akuzuarve ua ka caktuar paraburgimin prej një muaji i cili do të llogaritet nga 10 qershori i këtij viti, kur edhe janë ndaluar.

Ndryshe, para këtij vendimi, në seancën dëgjimore të dyshuarit kanë kërkuar falje për veprimet e tyre, duke shtuar se janë penduar për atë që ka ndodhur, dhe gjykatës i kanë premtuar se në të ardhmen nuk do të kryejnë vepra të tjera penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ju kërkoj falje palëve të dëmtuara dhe Policisë së Kosovës, dhe jam i penduar shumë për veprën penale që e kam kryer, dhe i premtoj gjykatës që nuk do të kryej më asnjë vepër tjetër penale. Unë jam i gatshëm që çdo thirrje të gjykatës me ju përgjigj”, tha i dyshuari Kryeziu.

Kërkesën për caktimin e paraburgimit e kanë kundërshtuar mbrojtësi i të akuzuarit Kosumi, avokati Zijadin Spahiu dhe mbrojtësi i të akuzuarit Kryeziu, avokati Nexhat Syla, duke propozuar që të dyshuarve tu shqiptohet masa alternative dhe atë, lajmërimi i të dyshuarve në stacionin më të afërt policorë.

Tutje, avokati Spahiu ka thënë se kjo kërkesë për caktim të paraburgimit është e pabazuar pasi që sipas tij, kjo masë caktohet vetëm në raste të veprave të rënda penale, por jo për këtë vepër penale që është me pasoja minimale.

“Mendojmë se kërkesa për caktimin e paraburgimit, për të pandehurin Kosumi është e pabazuar, duke pasur parasysh se është e vërtetë se figura e veprës penale ekziston por me pasoja minimale, njëherit gjësendet e vjedhura ju kanë kthyer të dëmtuarve, por duhet pasur parasysh se i akuzuari është relativisht i moshës së re, njëherit në konsultim me të njëjtin veprimet inkriminuese që i ka paraqit prokuroria i pranoj se janë kryer dhe japim garancion se në të ardhmen nuk do të përsëriten veprat penale”, ka thënë avokati Spahiu.

Ndërsa avokati Syla ka thënë se nuk janë përmbushur kushtet për një masë të tillë, duke kundërshtuar arsyetimin e prokurorisë për arratisjen e të dyshuarit Kryeziu, pasi që sipas tij,  të dyshuarit i dihet vendbanimi, është i moshës së re dhe i janë konfiskuar dokumentet.

Ai ka thënë se sa i përket arsyetimit të prokurorisë se i dyshuari mund të ndikojë në rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar tek pala e dëmtuar, nuk qëndron ky fakt pasi që të dyshuarit e kanë pranuar fajësinë dhe se të gjitha procedurat janë përfunduar.

“Gjykata me rastin e vendosjes kërkoj që të ketë parasysh caktimin e një masë më të butë edhe pranimin e fajësisë nga i akuzuari, kthimin e sendeve të vjedhura si dhe moshën e të pandehurit ku ende ka mundësi që i njëjti të rehabilitohet dhe të jetë i dobishëm për shoqërinë. Ndërsa në qoftë se merren vetëm masa më të rënda, kjo rrethanë mund të ndikoj negativisht ndoshta edhe në përkeqësimin e gjendjes së tij dhe kalimin në ndonjë stad edhe më të keq”, tha avokati Syla.

Ndryshe, sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 10 qershor të këtij viti, në fshatin Hjavali të Komunës së Prishtinës, me marrëveshje paraprake mes veti, të akuzuarit së bashku me të miturin A.P, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veti apo për të tjerët, kanë depërtuar me dhunë duke hapur derën e bastores sportive të cilën e menaxhon i dëmtuari Durim Hyseni, ku kanë marrë para të gatshme në vlerë prej 170 euro.

Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se të akuzuarit kanë thyer edhe lokalin frizer “Liburni”, dhe kanë vjedhur një gjenerator në vlerë prej 150 euro dhe një makinë për qethje në vlerë prej 20 euro, pronë e të dëmtuarit Milaim Haxholli, ku më pas janë zënë nga policia.

Me këtë dyshohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”, nga neni 315, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi