Një muaj paraburgim për shoferin e autobusit që dyshohet se shkaktoi aksidentin në fshatin Grabovc i cili përfundoi me fatalitet

03 (1)
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Korrik 31, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, të dyshuarit V.A,  për aksidentin e ndodhur në fshatin Grabovc, përkatësisht tek “Vendi i Plakës”, ku humbi jetën i ndjeri A.K.

Kjo masë është caktuar nga gjykatësja Fatime Dermaku, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila është shqyrtuar në seancën dëgjimore të së mërkurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të dyshuarit do t’i llogaritet paraburgimi nga koha e ndaljes më 29 korrik deri më 29 gusht 2019.

Paraprakisht në seancën dëgjimore, prokurori Musa Mehaj, në arsyetimin e kërkesës së tij, ka thënë se janë përmbushur kushtet për caktimin e masës së paraburgimit dhe se sipas tij kjo masë është e vetmja masë e cila do të sigurojë praninë  e të dyshuarit në procedurë penale.

Sipas prokurorit Mehaj, ekziston rreziku se po të gjendet i dyshuari në liri, nuk do t’i përgjigjet ftesës dhe do të jetë i paarritshëm për sigurimin e pranisë së tij në procedurën e mëtejshme.

Prokurori tha se duhet marrë parasysh edhe pesha e veprës penale, mënyra e kryerjes, pasi që i dyshuari ka drejtuar automjetin duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, me ç’rast ka një person ka mbetur i vdekur.

Këtë kërkesë e ka kundërshtuar i dyshuari V.A, si dhe mbrojtësja e tij, avokatja e caktuar sipas detyrës zyrtare, Marigona Shabani, pasi që sipas saj nuk janë përmbushur kushtet e një mase të tillë dhe se e njëjta është shumë e ashpër në proporcion me veprën e kryer.

“Kundërshtoj kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj të mbrojturit tim sepse nuk janë plotësuar kushtet për caktimin e një mase të tillë. Konsideroj se e njëjta është shumë e ashpër në proporcion me veprën e kryer. Andaj i propozoj gjykatës që ndaj të mbrojturit tim të  caktohet një masë më e butë”, ka deklaruar avokatja Shabani.

Sipas kërkesës së ngritur më 30 korrik 2019, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ekziston dyshimi bazuar se i dyshuari V.A, më 29 korrik 2019,  ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, nga neni 370, paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 të KPRK-së.

Sipas pretendimit të prokurorisë, i dyshuari V.A ka drejtuar automjetin duke mos e përshtat shpejtësinë e lëvizjes, kushtet atmosferike, gjendjen e ngarkesës, gjendjen e frenimit të autobusit, me ç’rast ka shkaktuar aksident komunikacioni, duke e goditur automjetin “Golf” dhe duke i shkaktuar lëndime shoferit dhe pasagjerit i cili pas aksidentit ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike. /Betimipërdrejtësi