Një muaj paraburgim ndaj zyrtarit të PTK-së në Gjilan për përvetësim të 16 ndihmave sociale

82948228_170886320791020_2709226612531920896_n (1)
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Tetor 16, 2020

Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar një muaj paraburgim ndaj B.N., i dyshuar për veprën penale “përvetësimi në detyrë”.

Kjo masë është caktuar pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, e cila është shqyrtuar të premten.

Një gjë e tillë është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga gjykata në fjalë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas komunikatës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri në cilësinë e zyrtarit në Postën e Kosovës në Gjilan, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, gjatë muajit tetor 2020, ka përvetësuar ndihmat sociale të disa personave, në vlerë prej 1,700 €.

Me këto veprime i pandehuri B. M. dyshohet se ka kryer veprat penale ‘përvetësimi në detyrë’’ vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që caktimi i masave tjera alternative do të pengonin zhvillimin normal të procedurës penale”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se, palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit. /BetimipërDrejtësi