Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarve për vrasjen e 50-vjeçarit në Gjilan

Author

Raporton: Adelina Ajeti

Shtator 14, 2021

Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, të pandehurve F. O., G. B. dhe I. V, sipas kërkesës së Prokurorisë, me dyshimin se në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta tani të ndjerin B. V.

Kërkesa e tillë është paraqitur të martën nga prokurori Shaban Spahiu, gjatë seancës dëgjimore të mbajtur në Gjykatën Themelore në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësit e të akuzuarve e kundërshtuan kërkesën e Prokurorisë, duke deklaruar se kërkesa është e pabazuar dhe absurde dhe se nuk ka prova të mjaftueshme për caktimin e kësaj mase.

Ndërsa, të pandehurit kanë vazhduar me deklaratat e tyre para gjykatës duke i mbështetur të gjitha deklaratat nga ana e mbojtësve.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Sabedin Mushica ka njoftuar palët se për vendimin lidhur me kërkesën do të njoftohen në afat të caktuar kohor.

Prokuroria dje ka njoftuar se, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit e sipërshënuar, më 12 shtator 2021, pas një përgatitje paraprake, në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta tani të ndjerin B. V, duke e vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë, të cilët kanë qenë afër tij.

Tutje thuhet se të dyshuarit kanë vepruar në atë mënyrë që së bashku kanë ardhur me një veturë të markës ‘’Audi A3’’ dhe janë ndalë tek një market, ku nga aty të armatosur kanë dalë dy nga të pandehurit dhe me të arritur në vendin e ngjarjes.

Sipas kërkesës së prokurorisë, ata i afrohen tani të ndjerit, i cili ishte ulur në një kafene në Gjilan, të cilët pastaj kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, ku për shkak të plagëve të marra i njëjti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit pas kryerjes së vrasjes janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohet të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.