Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit se vuri në qarkullim para të falsifikuara

Raporton: Adelina Ajeti

Gjilan– Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të dyshuarit B.B, për prodhim dhe vënie në qarkullim parave të falsifikuara.

Kjo është bërë e ditur në një komunikatë për medie nga Gjykata Themelore në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri më datë 19 tetor 2021, në Gjilan, me qëllim të përftimit pasuror, dyshohet se ka prodhuar dhe vënë në qarkullim para të falsifikuara të shumës 2 €, gjatë arrestimit nga zyrtarët policorë të njëjtit i janë gjetur 220 x 2 €, 20 pako cigare të llojit “Winston”, 24 pako cigare të llojit “Lucky”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se pas bastisjes së shtëpisë në Prishtinë, të njëjtit i janë gjetur edhe 441 pako cigare të llojit “Lucky” dhe 130 pako të llojit “Winston”, të gatshme për tregun e shitjes.

“Me këto veprime, i pandehuri B. B. dyshohet të ketë kryer veprën penale falsifikim i parasë vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet tutje në njoftim.

Gjykata bën të ditur se gjyqtari i procedurës paraprake ka konsideruar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit të lartcekur, aplikimi i masave tjera alternative, në këtë fazë të procedurës do të ishin të pamjaftueshme. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë