Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit se keqpërdori të dhënat e kartelave bankare të klientëve

Raporton: Blerim JAKUPI

Prishtinë– Gjykata Themelore në Prishtinë – dega në Podujevë, Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, ndaj të dyshuarit A.S për keqpërdorim të të dhënave të kartelave bankare të klientëve.

Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi për medie nga kjo gjykatë, ku thuhet se masa në fjalë u caktua pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila është paraqitur më 17 maj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake e ka pranuar kërkesën e prokurorit, duke ia caktuar A.S masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

“Të pandehurit A.S. paraburgimi i është caktuar në bazë të nenit 23, paragrafi 3 nenit 187 paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, sipas kërkesës së prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri, në vazhdimësi e deri më 16 maj 2022, në Podujevë, në cilësinë e personit përgjegjës të ndërrimit në një subjekt afarist, me qëllim që vetes apo ndonjë personi tjetër t’i sjell dobi pasurore të kundërligjshme, ka keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve, respektivisht të një numri të konsiderueshëm të të dëmtuarve, duke ua vjedhur dhe fotografuar të dhënat e kartelave bankare, të cilët kanë bërë blerje në këtë dyqan.

Tutje thuhet se i dyshuari, këto të dhëna i ka përdorur duke bërë blerje të monedhave–kriptovalutave, të cilat më pas i ka shitur dhe i ka shndërruar në para/euro dhe me këtë ka përfituar një shumë në vlerë prej mbi 5 mijë euro.

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, nga neni 301, paragrafi 3 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal . /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë