Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit se ilegalisht kishte shkuar në Siri për t’iu bashkuar ISIS-it

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Prishtinë- Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit H.S, nën dyshimin se i njëjti kishte shkuar ilegalisht në Siri, me qëllim që t’iu bashkohet organizatës terroriste ISIS.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo gjykatë, ku thuhet se i njëjti dyshohet për veprën penale “Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë apo policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të të Republikës së Kosovës” nga neni 3, paragrafi 3 të Ligjit nr.05/L-002, për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit H.S. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Të pandehurit H.S. paraburgimi i është caktuar në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 pika 1.2.1, dhe paragrafi 1 nënparagrafi 2.2, pika 1.2.3 të KPPRK-së”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se i pandehuri H.S dyshohet se me vullnet dhe vetëdije të plotë më 23 nëntor 2015 është nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtin dhe ilegalisht kishte hyrë në shtetin e Sirisë në mënyrë që t’i bashkohet organizatës terroriste ISIS.

Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë apo policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës”.

Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë