Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit se e kapi për fyti dhe e goditi me grushte bashkëshorten

Raporton: Florentina OSMANI

Podujevë – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të dyshuarit Sh.S, për sulm me grushte e shuplaka ndaj bashkëshortes.

Një masë e tillë, është caktuar pas seancës dëgjimore, që është mbajtur të martën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, e ka përpiluar prokurorja Edina Jupolli dhe në gjykatë e ka përfaqësuar prokurorja Ferdane Sylejmani.

Prokurorja Sylejmani tha se ekziston dyshimi i bazuar se Sh.S ka kryer veprën penale “Dhuna në familje”.

“Pas vlerësimit dhe analizimit të kallëzimit penal, deklaratave të dëmtuarës dhe dëshmitares, provave materiale, si dhe mbrojtjes së të pandehurit Sh.S., nga të gjitha këto prova të lartcekura, kjo prokurori ka ardhur në përfundim se ekziston dyshimi i bazuar se Sh.S., e ka kryer veprën penale dhuna në familje”, ka deklaruar prokurorja Sylejmani.

Tutje, ajo shtoj se masat më të buta për sigurimin e pranisë së të dyshuarit janë të pamjaftueshme për sigurimin e prezencës së tij dhe ndalimin e përsëritjes së veprës penale.

Andaj, prokurorja Sylejmani i propozoi gjykatës që të caktohet masa e paraburgimit, si masë e vetme të cilën prokuroria e ka vlerësuar.

Ndërkaq, mbrojtësi i të dyshuarit Sh.S., sipas detyrës zyrtare, avokati Mahmut Hoti, e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për caktim të paraburgimit, ndaj klientit të tij.

Avokati Hoti tha se i mbrojturi i tij kundërshton se ka kryer këtë vepër penale, duke thënë se nuk është e vërtetë.

“I njëjti është i gjendjes së dobët ekonomike me asistencë sociale, ka tre fëmijë të mitur, është i papunë, kisha me kërku nga gjykata që të njëjtit t’i caktojë një masë alternative, arrest shtëpiak, që kishte me arritë qëllimin e kësaj çështjeje penale”, deklaroi avokati.

Po ashtu, Hoti tha se i dyshuari ka premtuar se nëse lihet në liri nuk do të bëjë probleme dhe do të lajmërohet – do t’i përgjigjet ftesës së gjykatës në çdo rast.

Me konstatimet e mbrojtësit të tij,është pajtuar edhe i dyshuari Sh.S., duke e kundërshtuar kërkesën e prokurorit për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

“E kundërshtoj kërkesën për caktimin e paraburgimit, janë të pavërteta të gjitha këto që thotë prokuroria, premtoj se do t’i përgjigjem ftesave të gjykatës”, deklaroi ai.

Pas kësaj, gjykatësi i procedurës paraprake Gazmend Bahtiri, ka caktuar për të dyshuarin masën e paraburgimit prej 30 ditësh, e cila do të llogaritet nga data 8 nëntor 2021, si dhe do të zgjasë deri më 8 dhjetor 2021.

Ndryshe, sipas kërkesës së prokurorisë mbi caktimin e masës së paraburgimit, të datës 8 nëntor 2021, thuhet se me datën 8 nëntor 2021, në Podujevë, konkretisht në shtëpinë e tyre, për shkak të mosmarrëveshjeve me të dëmtuarën – bashkëshorten e tij M.S., i dyshuari ka ushtruar në vazhdimësi dhunë fizike dhe psiqike ndaj të dëmtuarës, me qëllim të cenimit të dinjitetit të saj.

Sipas prokurorisë, në datën kritike kur i pandehuri ka shkuar në shtëpi dhe pasi ka kundërmuar alkool, e dëmtuara e ka pyetur se ku ishte deri në atë kohë, duke i thënë se ishte me NN, pasi e gjithë lagja e kanë parë, andaj pas këtyre fjalëve i dyshuari është bërë nervoz dhe e ka sulmuar atë fizikisht.

Kërkesa e prokurorisë thotë se i dyshuari e ka kapur për fyti dhe e ka mbështetur për muri dhe aty e ka goditur me grushte në kokë, e më pas me shuplaka në fytyrë dhe si pasojë e këtyre veprimeve, të dëmtuarës i ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetë.

Me këtë, ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhuna në familje” nga neni 248 par. 3 nënpar. 3.2 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë