Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit se dogji një veturë në një parking në Podujevë

Gjykata Podujeve, 40 (1)
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Shtator 23, 2019

Podujevë – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit për zjarrvënie, E.K.

Një masë e tillë, është caktuar pas seancës dëgjimore, që është mbajtur të hënën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, e ka përpiluar prokurorja Nebahate Salihu, ndërsa atë në seancë e ka përfaqësuar prokurorja Hava Krasniqi.

“Pas shqyrtimit dhe analizimit të kallëzimit penal, provave materiale, informatave të siguruara nga ana e policisë, shkresave dhe foto-dokumentacionit që gjendet në lëndë, prokuroria ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale të zjarrvënies. Konsideroj se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit të parapara me nenin 187 par.1 nënpar.1.1 dhe 1.2 pika 1.2.3 të KPPRK-së”, ka deklaruar prokurorja Krasniqi.

Sipas prokurores Krasniqi, rezulton se i dyshuari e ka kryer këtë vepër që sipas saj, vërtetohet nga raporti i policisë dhe provat tjera të bashkëngjitura në lëndë.

Duke u bazuar në këto rrethana, ajo ka propozuar që kjo masë të caktohet, me arsyetimin se është shqyrtuar mundësia e një mase më të butë, por që sipas saj, janë të pamjaftueshme dhe jo adekuate.

Ndërsa, mbrojtësi i të dyshuarit E.K, i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Mahmut Hoti, e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë, duke shtuar se gjendja shëndetësore e të mbrojturit të tij nuk është e mirë për ta caktuar këtë masë.

Me konstatimet e mbrojtësit të tij, është pajtuar edhe i dyshuari E.K, duke e kundërshtuar kërkesën e prokurorit për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

Më pas, gjykatësi i procedurës paraprake Gazmend Bahtiri, ka caktuar për të dyshuarin masën e paraburgimit, e cila do të llogaritet nga 21 shtatori 2019 dhe do të zgjasë deri më 21 tetor të këtij viti.

Gjykata, gjithashtu e ka urdhëruar Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, që i dyshuari të dërgohet në Institutin  e Psikiatrisë Forenzike, për ekzaminim psikiatrik për konstatimin e gjendjes së tij mendore.

Ndryshe, sipas kërkesës së prokurorisë mbi caktimin e masës së paraburgimit, të 22 shtatorit 2019, E.K,  dyshohet se më 20 shtator 2019, rreth orës 02:29, në rrugën “Zahir Pajaziti”, në Podujevë, më saktësisht në parkingun e veturave, ka vepruar në atë mënyrë që pas përgatitjes paraprake në ditën kritike kishte shkuar në vendin e ngjarjes dhe me qëllim të zjarrvënies, me një lëndë të përshtatshme për shkaktimin e zjarrit, me ndihmën e një mjeti ndezës ka shkaktuar zjarrin në automjetin e tipit “VW Pikap”, në pronësi të të dëmtuarit B.M, më ç’rast të njëjtit i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 3000 euro.

Me këtë, ai dyshohet se ka kryer veprën penale “zjarrvënie”, nga neni 322 par.2 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi