Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e gruas së tij në Berivojcë të Kamenicës

Gjilan
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Korrik 26, 2020

Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan, të dielën, e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurit N.M, i dyshuar për vrasje të bashkëshortes.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media të kësaj gjykate, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se gjatë ditës së djeshme, në fshatin Berivojcë, komuna e Kamenicës, i dyshuari N.M., pas mosmarrëveshjeve familjare, me një mjet të fortë – shufër metalike, godet bashkëshorten e tij në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, me ç’rast të ndjerës i ka shkaktuar plagë të cilat kanë qenë vdekjeprurëse.”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime, i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, duke marr për bazë peshën e veprës penale, ku minimumi i dënimit parashihet 10 vite, ndërsa maksimumi burgim i përjetshëm dhe caktimi i masave alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.”, thuhet tutje në njoftim.

Bëhet e ditur se, palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit. /BetimipërDrejtësi