Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për tri raste të vjedhjes së rëndë në Fushë Kosovë

Pallati
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Korrik 5, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të premten, ka caktuar një muaj paraburgim ndaj A.P, i cili dyshohet se në prill dhe qershor të vitit 2019, ka kryer tri raste të vjedhjes së rëndë në Fushë Kosovë.

Paraburgimi ndaj të dyshuarit është caktuar nga gjykatësi Rrustem Begolli, dhe se llogaritet nga data 4 korrik, e deri më 4 gusht 2019, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, në seancën dëgjimore të së premtes, prokurori Bashkim Zeqaj, ka arsyetuar kërkesën e tij për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit A.P.

Sipas prokurorit Zeqaj, ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari ka kryer veprat penale, dhe se kjo sipas tij, vërtetohet nga deklaratat e të dëmtuarve, pastaj video-incizimeve, deklaratës së të dyshuarit, si dhe provave tjera që janë pjesë e lëndës.

Prokurori Zeqaj tha se paraburgimi është masa adekuate ndaj të pandehurit edhe për faktin se ekziston rreziku i ikjes së tij, nëse ai ndodhet në liri, pastaj se ekzistojnë rrethana të posaçme se ai do të ndikojë në dëshmitarë dhe të dëmtuarit.

Më pas, prokurori tha se prezenca e të pandehurit në procedurë nuk mund të sigurohet me masa tjera alternative, nisur edhe nga pesha e veprës penale, mënyra, rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, ikja nga vendi i ngjarjes, përdorimi mjeteve të rrezikshme si dhe karakteristikat personale të të pandehurit.

Pretendimet e prokurorisë për caktimin e paraburgimit janë kundërshtuar nga mbrojtësi i të dyshuarit, avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare, Arbër Shala, me arsyetimin se prokuroria me asnjë provë të vetme nuk e ka vërtetuar dyshimin e bazuar se i mbrojturi i tij ka kryer veprat për të cilat dyshohet.

“Prokuroria me asnjë provë të vetme, me asnjë veprim të vetëm të cilin e ka ndërmarrë i mbrojturi im, nuk ka arritur që të vërtetojë dyshimin e bazuar mirë se i mbrojturi im ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet”, tha avokati Shala.

Sipas avokatit Shala, një masë e tillë do të ishte mjaft e rëndë për klientin e tij, dhe do të cenonte të drejtën ligjore që ai të mbrohet në liri, të drejta këto sipas tij, të parapara me kushtetutë dhe kodin e procedurës penale.

Në fund, avokati Shala i ka propozuar gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij, të caktohet masa e arrestit shtëpiak, si masa më adekuate për sigurimin e prezencës së të pandehurit dhe zhvillim të suksesshëm të procedurës penale.

“Prandaj, në rastin më të pavolitshëm, gjykatës i propozoj që ndaj të mbrojturit tim të caktoj masën e arrestit shtëpiak, masë kjo e cila do të ishte ekuivalente me paraburgimin, dhe gjithashtu do të respektohej e drejta e tij që të mbrohet në liri”, shtoi avokati Shala.

I pandehuri A.P, ka përkrahur fjalën e mbrojtësit të tij, duke deklaruar se ai ka qenë në shtëpi në ato data për të cilat dyshohet se ka kryer vjedhje dhe këta tha se mund ta dëshmojë përmes kamerave.

“E përkrahi fjalën e mbrojtësit tim, për datat për të cilat po akuzohem unë kam qenë në shtëpi, se ka qenë dita kur ka ardh Bill Klintoni, kam edhe kamera që e dëshmojnë që nuk kam kry vepra, këta po munohen veç me m’gjujt vepra”, tha i pandehuri.

Në fund, ai ka kërkuar nga gjykata që ndaj tij të caktohet një masë më e butë, me arsyetimin se është mbajtës i familjes dhe se do t’i përgjigjet çdo thirrjeje të gjykatës, duke mos i ikur përgjegjësisë penale.

“Kam fëmijët e vegjël, përgjegjësisë nuk i iki, jam mbajtës i familjes, gruan e kam shtatzënë. Kisha kërku që me ma bo një masë më të butë për hir të familjes, unë do ti paraqitem qdo ftese që do tma bon gjykata”, tha i pandehuri

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 4 korrik 2019, ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj A.P, për shkak të dyshimit të bazuar se ai ka kryer tri raste të vjedhjes së rëndë.

Sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri më 19 prill 2019, në intervalin kohorë prej 11:00 -13:00, në rrugën “Dardania”, në objektin “Model Sllovenia”, në Fushë Kosovë, në bashkëkryerje me dy persona të tjerë të panjohur, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë përdorur forcën duke e dëmtuar cilindrin e derës hyrëse të banesës, nga ku depërtojnë brenda në banesën e palës së dëmtuar Selver Brajshori dhe arrijnë të vjedhin para të gatshme në vlerë rreth 900 euro si dhe stoli ari në vlerë 300 euro.

Me këtë, i pandehuri dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vjedhja e rëndë” nga neni 315 par.1 pika 1.1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri më 15 qershor 2019, në intervalin kohorë 08:00-09:00, në rrugën “Hysen Xhakolli” në Fushë Kosovë, në bashkëkryerje me dy persona tjerë për momentin të panjohur, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë përdorur forcën duke e dëmtuar cilindrin e derës hyrëse të banesës, nga ku depërtojnë brenda në banesën e palës së dëmtuar Hanife Imeri dhe arrijnë të vjedhin para të gatshme në vlerë rreth 400 euro.

Me këtë i pandehuri dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vjedhja e rëndë” nga neni 315 par.1 pika 1.1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së

Në dispozitivin e tretë të kësaj kërkese, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri më 12 qershor 2019, në intervalin kohorë 12:45-17:00, në rrugën “Metush Krasniqi”, kompleksi banesorë “Alf Fest në Fushë Kosovë, në bashkëkryerje me dy persona të tjerë për momentin të panjohur, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë përdorur forcën duke e dëmtuar cilindrin e derës hyrëse të banesës, nga ku depërtojnë brenda në banesën e palës së dëmtuar Armend Hajdari dhe arrijnë të vjedhin para të gatshme në vlerë prej 2400 euro, si dhe stoli ari në vlerë rreth 3000 euro. /BetimipërDrejtësi