Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për dhunë në familje

Gjykata Podujeve, 20
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Qershor 10, 2021

Podujevë – Një muaj paraburgim është masa që Gjykata Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, ia ka caktuar të dyshuarit për dhunë në familje, F.S.

Kjo masë u caktua pas seancës dëgjimore të së enjtes, në të cilën, gjykatësi i procedurës paraprake, Minir Hoti ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e të njëjtës, raporton “Betimi për Drejtësi.”

“Pas vlerësimit dhe analizimit të kallëzimit penal, deklaratave, të dëmtuarës dhe dëshmitares L.S., provave materiale, raporteve të mjekut, foto dokumentacionit që gjendet në shkresat e lëndës, si dhe mbrojtjes së të pandehurit F.S., kjo prokurori ka ardhur në përfundim se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri e ka kryer veprën penale “dhuna në familje” nga neni 248 paragrafi 3.2 të KPRK-së”, thuhet në kërkesë.

Kërkesën e caktimit të masës së paraburgimit e kundërshtoi mbrojtësi i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Xhevat Rama, duke konsideruar se nuk ka bazë ligjore lidhur me këtë masë, e duke kërkuar masën e paraqitjes në Stacionin e Policisë për klientin e tij.

Edhe i dyshuari tha se e kundërshton kërkesën për caktimin e paraburgimit, duke shprehur se është penduar për kryerjen e kësaj vepre.

Pas kësaj, gjykata ndaj të njëjtit ka caktuar një muaj paraburgim, masë kjo që do t’i llogaritet nga data 8 qershor deri më 8 korrik 2021.

Ndryshe, sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ekziston dyshimi i bazuar se më 08.06.2021, rreth orës 01:00, në fshatin Bellopojë, Komuna Podujevë, konkretisht në shtëpinë e tyre, për shkak të mosmarrëveshjeve me të dëmtuarën – bashkëshorten e tij L.S., i njëjti ka ushtruar në vazhdimësi dhunë fizike ndaj të dëmtuarës, me qëllim të cënimit të dinjitetit të saj, në atë mënyrë që ditën kritike, i pandehuri ka filluar ta qortoj dhe kritikoj, se kinse e dëmtuara nuk e mbanë pastër shtëpinë si duhet, e më pas e ka sulmuar fizikisht, duke e goditur me grushte në pjesë të ndryshme të trupit dhe përplasur herë për muri e herë për krevati.

Siç thuhet në këtë kërkesë, e dëmtuara kishte arritur të ikë nga i pandehuri dhe kishte dalë në oborr të shtëpisë, mirëpo i njëjti kishte shkuar pas saj dhe në oborr e ka goditur me grusht, ku nga dhimbja, e dëmtuara ka bërtitur dhe nga britma e saj fëmijët e tyre të vegjël janë zgjuar nga gjumi të shqetësuar, e pastaj i pandehuri e ka futur në shtëpi duke ia mbyllur derën me dry.

Si pasojë e këtyre veprimeve, të dëmtuarës ia ka shkaktuar lëndimet trupore dhe ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetë.

Për këtë, ai dyshohet se ka kryer veprën penale “dhunë në familje” nga neni 248, paragrafi 3.2 të KPRK-së.