Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për dhunë në familje

Gjilan
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Korrik 28, 2020

Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për dhunë në familje, Sh.S.

Kjo masë është caktuar pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, e cila është shqyrtuar të martën.

Një gjë e tillë, është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga gjykata në fjalë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas komunikatës, ekziston dyshimi i bazuar se më 26 korrik 2020, nga ora 23:00, në shtëpinë e përbashkët, i pandehuri me dashje dhe me qëllim të ushtrimit të pushtetit dhe kontrollit, cenimit të dinjitetit tek bashkëshortja e tij H. S., ka kanosur me fjalë të ndryshme, gjithashtu ushtron edhe dhunë, ashtu që e kap për kyçi të dorës, duke i shkaktuar edhe lëndime trupore.

Me këto veprime, i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale “dhunë në familje”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin normal të procedurës penale dhe për të parandaluar ndikimin tek e dëmtuara apo përsëritja e veprës penale”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se, palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit. /BetimipërDrejtësi