Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për aksidentin në Podujevë, ku humbi jetën e mitura dhe u lëndua nëna e saj

Foto, s.paraprake, 9 gusht, pg.1
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Gusht 9, 2019

Podujevë – Një muaj paraburgim ka caktuar Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, ndaj të dyshuarit për rrezikim të trafikut publik, P.A.

Nga aksidenti që kishte ndodhur një ditë në parë, në qendër të Podujevës, kishte humbur jetën e mitura A.Rr, ndërsa ishte lënduar nëna e saj, F.Rr.

Një masë e tillë, është caktuar pas seancës dëgjimore që është mbajtur të premten, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, e ka paraqitur prokurori Zef Prendrecaj.

“Pas analizimit dhe vlerësimit me kujdes të gjendjes faktike, duke pasur parasysh provat materiale, kushtet dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, peshën e veprës penale, kjo prokurori ka vlerësuar se masa e vetme e cila do të siguronte praninë e të pandehurit në procedurë dhe zbatimit të suksesshëm të procedurës penale është paraburgimi”, ka deklaruar prokurori Prendrecaj.

Duke u bazuar në këto rrethana, prokurori Prendrecaj, ka thënë se rreziku i arratisjes së të dyshuarit me qëllim të shmangies së përgjegjësisë penale, ekzistimi i dyshimit se ai nuk do të përgjigjet në thirrjet e prokurorisë dhe gjykatës, nga fakti se si pasojë e aksidentit një person ka ndërruar jetë dhe një tjetër ka pësuar lëndime trupore edhe dënimi që i kanoset, sipas tij, është relativisht i lartë.

Sipas Prendrecajt, rrethanë tjetër është se nëse i dyshuari lihet në liri, do të ndikojë te dëmtuara /dëshmitarja, apo dëshmitarët e mundshëm lidhur me rastin e aksidentit, të cilët sipas tij, ende nuk janë intervistuar nga prokuroria.

Ndërsa, mbrojtësi i të dyshuarit P.A, i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Adnan Sadiku, e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj klientit të tij.

“Me faktin se i pandehuri nëse gjendet në liri ekziston dyshimi se i njëjti do të pengoj procedurën e hetimeve dhe mbledhjen e provave të cilat shkojnë drejtë grumbullimit të një aktakuze për veprën për të cilën është ngarkuar i pandehuri, vlen të theksohet se i njëjti veprën për të cilën dyshohet, e ka kryer nga pakujdesia dhe pa vullnetin e tij. I njëjti shpirtërisht e ka ndjerë shumë rëndë, andaj pengimi i hetimeve është i pamundur se pse të gjitha provat policia i ka siguruar në vendin e ngjarjes. I njëjti nuk e ka një vullnet të tillë, andaj propozoj që të shqiptohet ndonjë masë më e lehtë”, ka thënë ai.

Me konstatimet e mbrojtësit të tij, është pajtuar edhe i dyshuari P.A, duke e kundërshtuar kërkesën e prokurorit për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

I dyshuari P.A, ka shprehur keqardhje për aksidentin në të cilin ka humbur jetën një person dhe është lënduar një tjetër.

Më pas, gjykatësi i procedurës paraprake Minir Hoti, e ka caktuar për të dyshuarin masën e paraburgimit, e cila do të llogaritet nga 8 gushti 2019 dhe do të zgjasë deri më 7 shtator të këtij viti.

Ndryshe, sipas kërkesës së prokurorisë mbi caktimin e masës së paraburgimit, të 9 gushtit 2019, P.A dyshohet se më 8 gusht 2019, në rrugën “Skënderbeu”, në Podujevë, rreth orës 12:20, ka shkelur Ligjin mbi Trafikun Publik duke rrezikuar jetën e njerëzve, ngase derisa ishte duke drejtuar automjetin e tij “VW 1J”, nga rrethi në drejtim të qendrës së qytetit, me të kaluar rrethin, për shkak se nuk i ka dhënë përparësi kalimi këmbësorëve në vendkalim për këmbësorë, me këndin e majtë të pjesës së përparme të veturës, i kishte goditur këmbësoret F.Rr. dhe A.Rr.

Në kërkesën e prokurorisë, thuhet më tej se si pasojë e goditjes nga automjeti, A.Rr. ka marrë lëndime trupore dhe ka vdekur, ndërsa është lënduar F.Rr, nëna e tani të ndjerës.

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, nga neni 370, par.9, lidhur me par.6 dhe par. 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi