Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarës për rrëmbim
Raporton: “Betimi për Drejtësi”
Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masës e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji të pandehurës A.R pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale Rrëmbimi.
Në një komunikatë për media nga Gjykata Themelore në Prishtinë, thuhet se gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës A.R e ka aprovuar si të bazuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehures A.R e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtës i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Të pandehures A.R paraburgimi i është caktuar në bazë të nenit nenin 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2 pika 1.2.2 e 1.2.3 të KPPRK-së”, thuhet në komunikatë.
Në komunikatë theksohet se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake, ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda është e bazuar dhe e argumentuar për këtë fazë të procedurës.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës./BetimipërDrejtësi