Një muaj paraburgim ndaj të akuzuarit se sulmoi të dëmtuarin me darë të ujit dhe i shkaktoi lëndime të lehta trupore

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Lipjan- Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të pandehurit G.H, i ngarkuar me veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Kjo masë, u caktua nga gjykatësi Avdirrahman Gashi, pas seancës dëgjimore të mbajtur të mërkurën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktvendim thuhet se kjo masë do t’i llogaritet prej datës së ndalimit 13 qershor 2022 deri më 12 korrik 2022.

Ndryshe, në seancën dëgjimore të mbajtur paraprakisht pas leximit të kërkesës për caktimin e paraburgimit nga prokurori Besnik Jakupi, i pandehuri H. ka thënë se e ndjen veten të penduar për këtë që ka bërë.

Ndërsa, sa i përket kërkesës së prokurorisë, të njëjten ka thënë se e kundërshton.

G.H kërkoi nga gjykata që në vend të kësaj mase t’i caktohet një masë më e butë siç është masa e arrestit shtëpiak.

Në fund, G.H i kërkoi falje të dëmtuarit sepse siç ka thënë ai, aty e ka banesën afër dhe ata prapë nuk kanë se si të mos takohen.

Ndërsa, mbrojtësja e të pandehurit sipas detyrës zyrtare, avokatja Marigona Gashi ka deklaruar se i kundërshton në tërësi  pikat në të cilat është thirrur prokuroria për caktimin e paraburgimit.

Kjo për faktin se nuk janë plotësuar kushtet e nevojshme nga neni 187 i KPPK-së, sepse siç tha ajo identiteti i palës dihet, nuk ekziston rreziku i ikjes së tij dhe se i njëjti i premtoi gjykatës që në çdo fazë do të paraqitet në gjykatë për zhvillimin e procedurës në mënyrë të rregullt.

Po ashtu, avokatja tha se i pandehuri i premtoi gjykatës se nuk do ta përsëris veprën penale për të cilën akuzohet, është penduar dhe i kërkon falje palëve tjera si dhe gjykatës për rastin i cili i ka ndodhur.

Gashi kërkoi nga gjykata që pas vlerësimit të të gjitha rrethanave dhe pranimit të fajësisë, të caktojë njërën nga masat më të buta për sigurimin e pranimit të tij, siç është arresti shtëpiak apo paraqitja në stacion policor.

Kjo ngase, avokatja vlerëson se njëra nga ato masa do të jetë e mjaftueshme për të siguruar praninë e tij, ndërsa vlerëson se masa e paraburgimit në këtë rast është masë shumë e rëndë, e cila do të ndikojë negativisht në këtë fazë të procedurës.

Kurse, prokurori Jakupi tha së qëndron në tërësi pranë kërkesës për caktimin e paraburgimit.

Sipas aktakuzës me kërkesë për caktim të paraburgimit, më 13 qershor 2022 në Lipjan, saktësisht në rrugën “Gjergj Fishta” i pandehuri G.H për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme me të dëmtuarin B.M, me dashje që t’i shkaktojë lëndime trupore, i njëjti e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarin, duke e goditur me një mjet të përshtatshëm për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore (darë të ujit) në regjionin e kokës, me ç’rast të i dëmtuarit ka shkaktuar dëmtime të lehta trupore me pasoja të përkohëshme për shëndetin.

Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, nënparagrafi 1.4 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë