Një muaj paraburgim ndaj të akuzuarit se më 2012 ishte zënë duke transportuar heroinë

55
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Gusht 5, 2019

Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan, të hënën, ka shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të akuzuarit për vepra penale që lidhen me narkotikë, Enes Ramizi.

Ai akuzohet se më 6 mars 2012, në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, pas një kontrolli, është vërtetuar se ai në mënyrë paautorizuar ka transportuar 88.41 gramë, substancë narkotike të llojit “heroinë”, në dhjetë paketime, e të cilën e ka fshehur brenda veturës.

Pasi që i akuzuari ka thënë se në këtë seancë nuk është i gatshëm të deklarohet rreth fajësisë, prokurori Isuf Sadiku, ka propozuar që ndaj Ramizit të caktohet masa e paraburgimit.

“Mbesim në tërësi pranë aktakuzës me gjitha të propozimet e bëra duke ri kërkuar që ndaj të pandehurit në këtë fazë të procedurës të caktohet paraburgimi, me arsyetimin se ekzistojnë kushtet ligjore të cilat parashihen në KPPK, edhe atë nga 187 parg, 1 pika 1.1, se ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer këtë vepër penale, e që dokumentohet nga raporti i ekzaminimit të substancës narkotike, raporti i policisë, procesverbali mbi bastisjen e automjetit, vërtetimi mbi sekuestrimin e përkohshëm të sendeve, si dhe transkriptet e bisedave telefonike të të pandehurit Enes Ramizit”, ka deklaruar prokurori Sadiku.

Ai ka shtuar se ndaj të pandehurit duhet të caktohet masa e paraburgimit, pasi që i njëjti ka qenë në arrati, deri në këtë moment dhe se i akuzuari nuk ka vendbanim në Republikën e Kosovës.

Prokurori ka thënë se i akuzuari Ramizi nga momenti i kryerjes së kësaj vepre penale, e deri në momentin e kapjes nga policia në shtetin e Zvicrës dhe sjelljen e tij para organeve të Policisë së Kosovës, ishte në arrati.

Duke u bazuar në këto rrethana, prokurori Sadiku, ka propozuar që kjo masë të caktohet ndaj tani të akuzuarit Ramizi, me arsyetimin se nëse ai gjendet në liri, përsëri mund të arratiset dhe ta pengojë rrjedhën e procedurës normale që duhet të zhvillohet ndaj tij.

Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarit Ramiqi, e caktuar sipas detyrës zyrtare, avokatja Blerina Dërmaku, e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë, duke shtuar se masa e propozuar është e rendë, duke kërkuar që të caktohet një masë më e butë, pasi sipas saj, nuk janë plotësuar kushtet ligjore të parapara në nenin 187, të KPPK-së.

Ajo ka deklaruar se pretendimet e prokurorit se i akuzuari po të gjendej në liri do të përsëriste veprimet inkriminuese, sipas saj, mbeten vetëm supozime dhe nuk arsyetohen me prova, ngase nuk mund të paragjykohen sjelljet e askujt.

“Sidomos në këtë rast nuk ka indicie që të mendohet se po që se i njëjti po të  gjendet  në liri do të përsërisë veprën penale e cila i vihet në barrë”, ka thënë ajo.

Më pas, gjykatësi Ramiz Azizi, ka caktuar masën e paraburgimit, e cila do të llogaritet nga 5 gushti 2019 dhe do të zgjasë deri më 5 shator të këtij viti.

Ndryshe, ish-Prokuroria Publike e Qarkut në Gjilan, kishte ngritur aktakuzë më 12 qershor 2012, ndaj të akuzuarit Enes Ramizi, të cilin e akuzon se më 6 mars 2012, rreth orës 20:00, në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, pas një kontrolli nga ana e policisë kufitare, e më pastaj edhe nga sektor Anti-Drogë, është vërtetuar se i njëjti në mënyrë paautorizuar ka transportuar 88.41 gramë, substancë narkotike të llojit “heroinë”, në dhjetë paketime, e të cilën e ka fshehur në veturë, ku edhe e braktisë automjetin, ndërkaq substanca narkotike si dhe automjeti  sekuestrohen.

Me këtë, Ramizi akuzohet se ka kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotrope”, nga neni 229, paragrafi 2 i Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi