Një muaj paraburgim ndaj pesë të dyshuarve për përleshje fizike gjatë seancës gjyqësore për krime lufte në Prizren

Raporton: Samire BINAJ

Prizren- Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit ndaj 5 të pandehurve për përfshirjen e tyre në përleshjen fizike në gjykimin për krime lufte ndaj ish-komandantit “Molla e Kuqe”.

Të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale të sulmit dhe lëndimit të lehtë trupor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas vendimit të gjykatës, të pandehurve E.Sh, Z.Sh, S.P, A.P, Z.P, paraburgimi u caktohet në kohëzgjatje prej një muaji, dhe atë duke filluar për secilin veç e veç, prej 2 qershor deri më 2 korrik 2022.

Një vendim i tillë për caktimin e masës së paraburgimit është marrë nga gjykatësi i procedurës paraprake, Gani Kastrati.

Gjykata ka vlerësuar se lënia e të pandehurve në liri mund të pengoj rrjedhën e hetimit, në rastin konkret duke ndikuar tek njëri tjetri dhe tek dëshmitarët në drejtim të imponimit të ndryshimit të deklaratave të tyre të dhënë në polici.

Sipas gjykatës, “një masë e tillë është shqiptuar me qëllim që të pandehurit t’i shmangen përgjegjësisë penale për veprat që ngarkohen, me besueshmëri kur kemi parasysh faktin se të pandehurit Z.P, A.P dhe S.P janë vëllezër, kurse të pandehurti E.Sh dhe Z.Sh janë axhë-nip, po ashtu dëshmitarët janë familjarë të të pandehurve, prandaj caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë të procedurës është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm për zbatimin me  sukses të procedurës penale-hetimore”.

Gjatë seancës dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë, dy të pandehur kishin avokatë të caktuar sipas detyrës zyrtare, kurse tre të tjerë me autorizim.

Mbrojtësi i të pandehurit E.Sh, avokat Gent Gjini, ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë si të pabazuar dhe si e tillë nuk duhet të aprovohet. Për këtë ai ka thënë se i mbrojturi tij duke qenë në liri nuk mund të ndikoj në ndryshimin e deklaratave ndërmet palëve dhe në polici, kjo ngase tani policia ka siguruar prova materiale dhe jomateriale.

I pandehuri E.Sh ka deklaruar se pajtohet në tërësi me deklaratën e avokatit Gjini dhe ka shtuar se kjo situatë ka ndodhur pa dashjen e tij.

Po ashtu, mbrojtësi i të pandehurit Z.Sh, avokat Jeton Rekathati ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë duke thënë se kualifikimi juridik nuk është i një natyre të rëndë dhe sipas tij kjo masë e paraburgimit është tejet e rëndë, gjë për të cilën ka kërkuar një masë më të butë.

Mbrojtësi i pandehurit S.P, avokat Forti Skoro në tërësi e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë duke thënë se nuk ekziston dyshimi bazuar për kryerjen e veprës penale për të cilën ngarkohet i pandehuri S.P, sipas tij i pandehuri S.P nuk ka përdorur asnjë mjet apo ndonjë veprim tjetër. Ai po ashtu ka thënë se janë mbledhur provat materiale dhe i njëjti nuk mund të ndikoj në to.

I pandehuri S.P ka deklaruar se qëndron në tërësi pranë deklaratës së avokatit të tij duke shtuar se as nuk e ka sulmuar askënd dhe nuk është sulmuar nga askush.

Mbrojtësi i pandehurit A.P, avokat Fillim Skoro ka thënë se nuk ekziston asnjë dyshim i bazuar ndaj të mbrojturit të tij për veprimet të cilat e ngarkon prokuroria.

Ai më tutje ka thënë se i mbrojturi i tij është goditur nga i akuzuari Remzi Shala dhe për këtë ai ka marrë ndihmë mjekësore.

Mbrojtësi i pandehurit Z.P, avokat Asdren Hoxha ka kundërshtuar në tërësi kërkesën e prokurorisë, me arsyetimin se e njëjta është e pabazuar dhe jo e arsyetuar mjaftueshëm.

Ai tutje ka shtuar se masa e paraburgimit është jo ligjore dhe e papranueshme duke marrë parasysh veprën penale për të cilën ngarkohet i mbrojturi i tij.

Ndaj vendimit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, palët mund të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit brenda afatit prej 24 orësh nga koha e dorëzimit të këtij vendimi./BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë