Ferizaj – Gjykata Themelore në Ferizaj ia ka caktuar masën e paraburgimit të pandehurit M.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale sulmi seksual.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Gjykata Themelore në Ferizaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
‘Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri ka kryer veprën penale sulmi seksual ndaj të dëmtuarës – të mitur, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Gjykata ia ka caktuar të pandehurit një muaj paraburgim.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj”, thuhet tutje në njoftim./BetimipërDrejtësi