Një muaj paraburgim ndaj personit që dyshohet se sulmoi fizikisht bashkëshorten dhe vajzën e tij 1 vjeçare

Vendim
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Korrik 1, 2021

Malishevë – Një muaj paraburgim është masa që Gjykata Themelore në Gjakovë, dega Malishevë, ia ka caktuar të dyshuarit për dy vepra penale “lëndimi i lehtë trupor”, F.H.

Kjo masë u caktua pas seancës dëgjimore të mbajtur të enjten, gjatë së cilës gjykatësi i procedurës paraprake, Njazi Morina, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë për caktimin e saj.

Kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit e ka përpiluar dhe përfaqësuar prokurori Kastriot Memaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Prokurori i shtetit konsideron se në rastin konkret janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, sepse ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet, e kjo vërtetohet edhe nga provat të cilat i janë bashkangjitur kallëzimit penal”, thotë kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, e përpiluar nga prokurori Memaj.

Tutje, sipas po të njëjtës kërkesë, konsiderohet se ekziston rreziku që po të lihej në liri i pandehuri mund të ndikojë në deklaratat e dëshmitarëve.

“Prokuroria konsideron se po që se i pandehuri do të lihej në liri, i njëjti mund të tentoj të ndikojë tek dëshmitarët në drejtim të përshtatjes së deklaratave në favor të tij”, thuhet më tutje në kërkesë.

Prokurori Memaj tha se prokuroria, sipas detyrës zyrtare, ka vlerësuar dhe analizuar se a do të mund të siguronte të pandehurin në procedurë, duke shqyrtuar edhe masat e tjera të parapara në nenin 173, të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, por ka konsideruar se masa e vetme që do ta siguronte atë është paraburgimi.

Kërkesën e caktimit të masës së paraburgimit e kundërshtoi mbrojtësi i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Albert Kryeziu, duke kërkuar masë alternative.

Edhe i dyshuari F.H, tha se e kundërshton kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj tij, duke i premtuar gjykatës se nuk do t’i sjellë më probleme bashkëshortes dhe fëmijëve.

Pas kësaj, gjykata ndaj të njëjtit ka caktuar një muaj paraburgim, masë kjo që do t’i llogaritet nga 29 qershori 2021 e deri më 28 korrik 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, sipas dispozitivit të parë të kërkesës për caktimin e paraburgimit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ekziston dyshimi i bazuar se më 29 qershor 2021, për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme, i pandehuri me dashje i shkakton lëndime trupore të dëmtuarës-bashkëshortes së tij L.H.

Në kërkesë thuhet se pasi që i pandehuri është kthyer nga puna në gjendje të dehur së bashku me një bashkëfshatar të tij, hyjnë brenda në shtëpi dhe fillon t’i bërtas të dëmtuarës se përse nuk po e përshëndet bashkëfshatarin e tij dhe i revoltuar i pandehuri e sulmon fizikisht të dëmtuarën, duke e goditur me shuplaka dhe grushte në regjionin e kokës, ku më pas e nxjerrë jashtë nga shtëpia së bashku me tre fëmijët.

Në kërkesë thuhet se e dëmtuar ka pësuar lëndime të lehta trupore, lëndime këto të përshkruara në raportin mjekësor të lëshuar nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Malishevë.

Me ketë, F.H. dyshohet se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185, paragrafi 1, nën paragrafi 1.4, të KPRK-së.

Ndërsa sipas dispozitivit të dytë të kërkesës për caktimin e paraburgimit, me datë, kohë dhe vend të njëjtë, i pandehuri me dashje i shkakton lëndime trupore, viktimës së ndjeshme, vajzës së tij një vjeçare E.H, duke e goditur me shuplaka në regjionin e fytyrës, me ç’rast me këto verime, të dëmtuarës, i shkakton lëndime të lehta trupore, lëndime këto të përshkruara në raportin mjekësor të lëshuar nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Malishevë.

Me këtë, F.H. dyshohet se ka kryer veprën penale “lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nën paragrafin 1.4, të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi