Një muaj paraburgim ndaj inspektorit të ATK-së që dyshohet për keqpërdorim detyre dhe marrje ryshfeti

Gjykata Themelore ne Gjakove
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Prill 16, 2020

Gjakovë – Gjykata Themelore në Gjakovë, të enjten, ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, të dyshuarit për keqpërdorim detyre dhe marrje ryshfeti, D.F.

Një gjë e tillë e ka konfirmuar Gjykata Themelore në Gjakovë përmes një komunikate për media.

Kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit D.F. e ka bërë Prokuroria Themelore në Gjakovë

“I pandehuri D.F. më 14 janar 2020, në Rahovec në zdrukthëtarinë “B…” , me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ka keqpërdorur detyrën zyrtare në atë mënyrë që, i pandehuri D. F., duke qenë në cilësi të inspektorit të ATK-së në Prizren, e me qëllim të mos inspektimit të punëtorisë së të dëmtuarit A. H., përmes të pandehurit tjetër B. H. ky i fundit në cilësinë e kontabilistit të në dyqanin e zdrukthëtarisë së të dëmtuarit, nga i dëmtuari A.H. ka marrë njëqind (100) euro para të gatshme si dhe një (1) tavolinë dhe katër (4) karrige në vlerë pre treqind e gjashtëdhjetë (360) euro.”, thuhet në komunikatë të gjykatës.

Tutje në komunikatë thuhet se më 14 prill 2020, i pandehuri B.H. si kontabilist i dyqanit ka marrë nga i dëmtuari A.H. edhe 500 euro të tjera të cilat para paraprakisht i dëmtuari i kishte marrë nga Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjakovë duke u zbatuar masat e fshehta teknike të hetimit, përkatësisht simulimi i veprës penale të korrupsionit. Përmes kamerave të sigurisë të cilat ishin vendosur në punëtorinë e të dëmtuarit, në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore të Gjakovës, është arritur që i pandehuri të zihet në flagrancë dhe të arrestohet nga Policia e Kosovës.

Me këto veprime, sipas komunikatës, i pandehuri D.F. dyshohet që në mënyrë të tërthortë ka përfituar materialisht për vete përmes të pandehurit B. H. si kontabilist, ku dyshohet të ketë kryer dy vepra penale, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”, vepra të sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndryshe, lidhur arrestimin e një inspektori të ATK-së dhe një kontabilisti, më 14 prill të këtij viti kishte njoftuar Policia e Kosovës përmes një komunikate për media. /BetimipërDrejtësi