Një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për dhunimin e dy të miturave

Ferizaj
Author

“Betimi për Drejtësi”

Qershor 10, 2021

Ferizaj – Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarve S.A dhe I.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar se veç e veç kanë kryer veprën penale “dhunimi” nga neni 227 paragrafi 6 dhe 7 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Një gjë e tillë është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga gjykata në fjalë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë komunikatë thuhet se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjykatësi i procedurës paraprake, Sahit Krasniqi ka vërtetuar faktin se i pandehuri S.A. më 07.06.2021 dhe 08.06.2021, në kohë të pacaktuar, në një hotel në Ferizaj, ka keqpërdorur seksualisht me të dëmtuarën – të miturën e moshës nën 14 vjet, edhe pse e ka ditur se e dëmtuara është e moshës nën 14 vjet.

Vepra penale e dhunimit thuhet se nuk është kryer me detyrim, por marrë parasysh moshën e të dëmtuarës, konform nenit 225 të KPRK-së shprehja “pëlqim” nënkupton pajtimin e vullnetshëm të personit që ka arritur moshën 16 vjet për të kryer aktin seksual, andaj konsiderohet se e dëmtuara nuk ka dhënë pëlqim.

Ndërsa, I.Sh. dyshohet se më 07.06.2021 dhe 08.06.2021, në kohë të pacaktuar në një hotel në Ferizaj, ka keqpërdorur seksualisht me të dëmtuarën – të miturën e moshës nën 16 vjet, edhe pse e ka ditur se e dëmtuara është e moshës nën 16 vjet.

Vepra penale e dhunimit thuhet se nuk është kryer me detyrim, por duke pasur parasysh moshën e të dëmtuarës,  konform nenit 225 të KPRK-së shprehja “pëlqim” nënkupton pajtimin e vullnetshëm të personit që ka arritur moshën 16 vjet për të kryer aktin seksual, andaj konsiderohet se e dëmtuara nuk ka dhënë pëlqim.

Tutje, në komunikatë thuhet se me rastin e caktimit të masës së paraburgimit, gjykata ka vlerësuar se për këtë vepër penale hetimet nuk kanë përfunduar, ende nuk janë dëgjuar para prokurorit të shtetit dëshmitarët dhe të dëmtuarat, andaj mbi këto arsye gjykata vlerësoi se po të gjendeshin në liri, të dyshuarit mund të ndikojnë tek të njëjtit në mënyrë që të deklarohen në favor të mbrojtjes, andaj edhe mund të vije deri te rrethanat me të cilat do ta pengonin zbatimin e suksesshëm të procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë, veçanërisht në të dëmtuarat e mitura.

Në fund, palët janë njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e vendimit.