Një muaj arrest shtëpiak ndaj të dyshuarit për rrezikim të trafikut publik

Foto nga gjykimi per masë, 28 janar 2021
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Janar 28, 2021

Podujevë – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji të dyshuarit për aksident trafiku, J.I.

Një masë e tillë është caktuar pas seancës dëgjimore të mbajtur të enjten, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në fjalë e ka përpiluar prokurori Besnik Jakupi, ndërsa në gjykim e ka përfaqësuar prokurori Blerim Igrishta.

“Pas shqyrtimit dhe analizimit të kallëzimit penal si dhe provave të bashkangjitura në të, me datë 27.01.2021, ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve PP.II.nr.278/2021, kundër të pandehurit J.I., pasi që arriti në përfundim se në rastin konkret ekziston dyshimi i bazuar se në veprimet e të pandehurit qëndrojnë të gjitha tiparet e veprës penale që i vihet në barrë dhe mbi këtë bazë, prokurori paraqet kërkesë për caktimin e arrestit shtëpiak, duke konsideruar së janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak”, thuhet në kërkesën e prokurorisë.

Sipas prokurorit Igrishta, prokuroria ka vlerësuar se kërkesën e vet e ka bazuar në pikat e mëposhtme: Dyshimi i bazuar nga neni 165 paragrafi 2, pika 2.3 dhe 2.4 të KPPRK-së; Dyshimi i bazuar nga neni 165 paragrafi 2, pika 2.5.1 të KPPRK-së; Pesha e veprës penale dhe rrethanat tjera nga neni 165 par 2, pika 2.5.3 të KPPRK-së.

“Prokurori i Shtetit konform nenit 165 paragrafi 1, ka shqyrtuar mundësinë e shqiptimit të masës më të butë nga neni 173 të KPPRK-së, por ka ardhur në përfundim së vetëm me masën e arrestit shtëpiak do të sigurohet prezenca e të pandehurit në procedurë dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës penale në rastin konkret”, ka përfunduar prokurori në fjalë.

Ndërsa mbrojtësi i të dyshuarit J.I., sipas detyrës zyrtare, avokati Rexhep Fusha, e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, duke kërkuar nga gjykata që ndaj të mbrojturit të tij të caktohet masa e paraqitjes në stacionin e policisë, si masë me e butë.

Me konstatimet e mbrojtësit të tij është pajtuar edhe e dyshuari në fjalë, duke e kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak.

Më pas, gjykatësi i procedurës paraprake, Minir Hoti, ka caktuar për të dyshuarin masën e arrestit shtëpiak, e cila do të llogaritet nga 26 janari 2021 e deri me 26 shkurt 2021.

I. Masa e arrestit shtëpiak të pandehurit i caktohet në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj, e cila masë do t’I llogaritet prej datës 26.01.2021, deri me datën 26.02.2021; II. I pandehuri obligohet të qëndrojë në shtëpinë e tij në fshatin Halabak, Komuna Podujevë dhe në asnjë mënyrë pa leje të gjykatës nuk guxon të largohet nga shtëpia e tij. III. Detyrohet Policia e Kosovës -Stacioni Policor në Podujevë, që të verifikojë zbatimin e kësaj mase dhe në rast mosrespektimi të saj, të informojë me shkrim gjyqtarin e procedurës paraprake pranë kësaj gjykate. IV. Në rast të mosrespektimit të masës si në pikën -II- të këtij aktvendimi, konform nenit 183 par. 5 të KPPRK-së, gjykata mund t ‘ia caktojë masën më të rëndë – paraburgimin”, thuhet në aktvendimin mbi caktimin e masës së arrestit shtëpiak të gjykatësit Hoti.

Ndryshe, sipas kërkesës së prokurorisë mbi caktimin e masës së paraburgimit, të datës 27 janar  2021, J.I., dyshohet se me 26 janar 2021, rreth orës 12:00 në fshatin Halabak, Komuna e Podujevës, i pandehuri derisa ishte duke e drejtuar pa patentë shofer dhe pa regjistrim automjetin “Opel Meriva”, i cili ishte duke qarkulluar nga fshati Halabak në drejtim të fshatit Sharban të Komunës së Podujevës, nga pakujdesia ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, ashtu që duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës, gjendjen dhe llojit të rrugës dhe kushteve atmosferike, në mënyrë që të ndalë mjetin para çdo pengese që mund të paraqitet, ka rrezikuar trafikun publik dhe ka vënë në rrezik jetën e njerëzve, ashtu që më të arritur në lagjen e familjes Arifi në fshatin Halabak, ka humbur kontrollin mbi automjetin duke dalur në anën e majtë të rrugës, fillimisht me pjesën e parë dhe në bartje e sipër e godet këmbësorin tani të dëmtuarin Nazmi Arifi, i cili në atë moment ishte duke e pastruar boren para dyerve të shtëpisë.

Sipas kërkesës, ngjarja ka ndodhur ashtu që fillimisht, nga goditja, e ka hedhur të dëmtuarin për disa metra e më pastaj me pjesën e rrotës së parë të djathtë e godet shtyllën e betonit në hyrje të dyerve të oborrit, e nga goditja në mënyrë të pa kontrolluar e godet edhe murin e rrethojës në anën e majtë të oborrit dhe në fund me pjesën e pasme të anës së majtë me mbrojtësit e pasme e mbështet këmbësorin në shtyllën elektrike të betonit, ku pas kësaj i dyshuari largohet nga vendi i ngjarjes.

Si pasojë e aksidentit, thuhet se i dëmtuari pëson lëndime të rënda trupore dhe atë thyerje të këmbës së majtë, që bëjnë pjesë në dëmtime të rënda trupore.

Me këtë, prokuroria pretendon se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik” nga neni 370 paragrafi 8 lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi