Nis rigjykimi për keqpërdorim pozite ndaj ish-zyrtarit të Bankës Ekonomike

viber_image_2020-02-12_11-23-16
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Shkurt 12, 2020

Prishtinë – Pas kthimit në rigjykim nga Gjykata e Apelit, ka nisur gjykimi ndaj ish-zyrtarit të  Bankës Ekonomike, Raif Rexhepi, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Bashkë me Rexhepin, i akuzuar në këtë rast kishte qenë edhe ish-drejtori i Bankës Ekonomike, Valon Lluka, por i njëjti ishte shpallur i pafajshëm në mungesë të provave nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në shkurt të vitit të kaluar, raporton “Betimi për Drejtësi”

Ndërkaq, Rexhepi akuzohet se nga viti 2007 deri në 2011, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore, duke i shkaktuar dëm pasuror të dëmtuarit, shtetasit italian, Savino Tesoron.

Sipas aktit akuzues,  pas marrëveshjes me Tesoron përmes personit Azizi Tafaj, ai kishte dhënë përmes transferit bankar shumës prej 2.400.000 euro Rexhepit, i cili edhe pse e kishte pasur për obligim që kur të marrë këtë shumë të parave ti blej aksionet dhe ti bartë në emër të Tesoros, mirëpo nuk iu ishte përmbajtur marrëveshjes.

Lidhur me këto akuza, ai ishte shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila ndaj tij kishte shqiptuar dënim prej dy vjet burgim me kusht.

Por, pas ankesave të mbrojtësve të të akuzuarve, Apeli kishte marr aktgjykim me të cilin, çështjen e kishte kthyer në rigjykim sa i përket të akuzuarit Raif Rexhepi, ndërkaq kishte vërtetuar aktgjykimin lirues sa i përket të akuzuarit Valon Lluka.

Pas lënda është kthyer në shkallë të parë, të mërkurën ka nisur rigjykimi ndaj të akuzuarit Rexhepi.

Gjatë kësaj seance, palët dhanë fjalën e tyre hyrëse, në të cilën prokurori i çështjes Rafet Halimi, deklaroi se pretendimet e prokurorisë, përkitazi me udhëzimet e dhëna nga Gjykata e Apelit, do të vërtetohen përmes provave personale dhe materiale.

“I akuzuari me veprimet e tij gjatë vitit 2007 – 2011, me dashje dhe me qëllim që ti sjell vetit përfitim të kundërligjshëm pasurorë dhe në dëm të të dëmtuarit Savino Tesoron ka keqpërdorur detyrën zyrtare, të gjitha pretendimet e prokurorisë janë të bazuara në prova personale dhe materiale”, tha prokurori Halimi.

Sipas tij, pretendimet e prokurorisë do të vërtetohen nga secila provë veç e veç, të bashkëngjitur në aktakuzën e saj.

Ndërkaq, në fjalën e saj hyrëse të dhënë më parë dhe atë të prokurorit, deklaroi se mbetet përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Shpresa Veseli – Rexhepi.

Në fjalën e tij hyrëse, mbrojtësi i të akuzuarit Rexhepi, avokati Avdi Dinaj deklaroi se lidhur me veprën e keqpërdorimit të pozitës zyrtare, gjykata e shkallës së dytë ka dhënë arsyet

“Konsideroj se në rastin konkret bëhet fjalë për raporte juridiko- civile, midis të akuzuarit Raif Rexhepi dhe Aziz Tafaj, pasi që  sipas kontratës mbi shitblerjen e patundshmërisë, i akuzuari Aziz Tafajt i ka shitur kompleksin hotelier “Dora” në Shëngjin, arsyeje e blerjes e këtij kompleksi ka qenë se kanë tentuar që të marrin portin e Shëngjinit me koncesion dhe në hotel të bëjnë vendosjen e stafit punues” tha ai

Ai shtoi se i akuzuari nuk e ka kontestuar pagesat nga Aziz Tafaj, mirëpo me kërkesën e tij, kjo kontratë prishet edhe pse jo në favor të të akuzuarit.

Avokati deklaroi se sipas shkresave të lëndës vërtetohet se në emër të prishjes së kontratës, i akuzuari i kthen shumën prej 900 mijë euro.

“Nuk kisha dashtë me të ndërpre se ke qenë më herët në pozitën e gjykatësit, mirëpo ju e dini më mirë se çfarë është fjala hyrëse”, tha gjykatësi Hoti gjatë kohës kur avokati po ipte fjalën e tij hyrëse.

Në fjalën hyrëse të mbrojtësit të të akuzuarit, pati vërejtje edhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar.

“Me gjithë respektin për ju dhe palën tjetër, pala mbrojtëse po e keqpërdor fjalën hyrëse” tha avokatja Veseli – Rexhepi.

Pas dhënies së fjalës hyrëse, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shashivar Hoti, njoftoi palët se për këtë seancë nuk kishte ftuar që të dëgjohen dëshmitarët e propozuar nga prokuroria në aktakuzë, meqenëse sipas tij, të njëjti ishin dëgjuar gjatë shqyrtimit të kaluar.

E lidhur me këtë prokurori Halimi, tha se nuk ka nevojë që të njëjtit të dëgjohen sërish, meqenëse në mënyrë të detajizuar të njëjtit kanë dhënë dëshminë e tyre.

Ndërsa, përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Veseli – Rexhepi, propozoi që me qëllim të sqarimit të disa deklarimeve të dhëna gjatë shqyrtimit të parë, të ftohet në cilësi të dëshmitarit, Lulzim Berisha.

Propozime për dëgjimin e dëshmitarëve kishte edhe mbrojtësi i të akuzuarit, Rexhepi, avokati Avdi Dinaj.

Ai kërkoi nga gjykata që të dëgjohen në cilësi të dëshmitarëve, Aziz Tafaj dhe Njazi Devitaku, lidhur me mjetet e paguara dhe kontratat.

Më pas, gjykatësi Hoti, njoftoi se pala mbrojtëse ka nxjerr një ekspertizë, e cila është përpiluar nga eksperti Aziz Berisha, të cilën ua dorëzoi palëve në formë të shkruar.

Lidhur me këtë ekspertizë, ai kërkoi nga palët ta analizojnë dhe të japin komentet lidhur me të në seancën e radhës.

Pas aprovimit të propozimeve për dëgjimin e dëshmitarëve, seanca u ndërpre për të vazhduar më 2 mars 2020, nga ora 9:00.

Prokuroria Themelore në Prishtinë në maj 2015, kishte ngritur aktakuzë ndaj Rexhepit dhe Llukës, me pretendimin se kanë kryer veprën penale shpërdorim i pozitës ose i autorizimit, në kundërshtim me nenin 339 par.3, lidhur me par.1 të Kodit të Përkohshëm Penal.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Lluka, në cilësinë e drejtorit ekzekutiv të Bankës Ekonomike në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe shkaktimit të dëmit pasuror, Savino Tesoros, ka shpërdorur pozitën zyrtare.

Sipas aktakuzës ai në vitin 2011, kishte marrë pjesë në takimin negociues mes të akuzuarit Rexhepi dhe shtetasit italian Tesoro, edhe pse kishte qenë në dijeni për ekzistimin e një kontrate të lidhur mes tyre në janar 2008, ai nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim në drejtim të regjistrimit të aksioneve të blera nga TEXO S.R.L, e përfaqësuar nga Savino Tesoro.

Po ashtu, sipas aktakuzës, më 24 nëntor 2011, i akuzuari Lluka, kishte lejuar realizimin e shitjes së 6.41% të aksioneve të Bankës Ekonomike, e cila ishte bërë përmes kontratës së dyfishtë mes të akuzuarit, Rexhepi dhe blerësit, Afrim Pacolli.

Gjithashtu, prokuroria akuzon Llukën se gjatë vitit 2010, nuk ka nxjerr vendim për anulim të vërtetimit të rremë, me ç’ rast ka dëmtuar materialisht shtetasin italian, Savino Tesoron.

Ndërkaq, prokuroria pretendon se i akuzuari Rexhepi nga viti 2007 deri në 2011, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore, dhe duke i shkaktuar dëm pasuror Tesoros, pas marrëveshjes me Tesoron përmes personit Azizi Tafaj  ia kishte dhënë përmes transferit bankar shumës prej 2.400.000 euro Rexhepit, i cili edhe pse e kishte pasur për obligim që kur të marrë këtë shumë të parave ti blej aksionet dhe ti bartë në emër të Tesoros.

Mirëpo, në aktakuzë thuhet se Rexhepi nuk iu ishte përmbajtur marrëveshjes dhe e kishte mashtruar me prezantim të rrejshëm të dëmtuarin Tesoro, se kinse do t’ia bartë aksionet në emër të tij, dhe kur i kishte blerë aksionet në të njëjtën bankë duke arritur vlerën e aksioneve në 20%, të njëjta nuk i kishte bartur fare në emër të Tesoros.

Ndërkohë, sipas aktakuzës, gjatë vitit 2010-2011, këto aksione i kishte shitur te disa aksionarë tjerë, ndërsa paratë e tyre i kishte mbajtur për vete. /Betimipërdrejtësi