Nis rigjykimi i të akuzuarve për shpërthimin në lokalin “Sekiraqa”, mbrojtësit hedhin akuza mbi prokurorët e EULEX-it

IMG_7337
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Qershor 29, 2020

Prishtinë – Mbrojtësit e të akuzuarve për shpërthimin në lokalin “Sekiraqa” në Prishtinë, gjatë seancës së rigjykimit kanë hedhur akuza mbi prokurorët paraprak të EULEX-it.

Për shpërthimin në fjalë, që kishte ndodhur pas vrasjes së policit të ndjerë Triumf Riza, në shtator 2007, po akuzohen Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Afet Dalloshi, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së hënës, mbrojtësi i të akuzuarit Bejtullah Mehmeti, avokati Hilmi Zhitia deklaroi se aktakuza ndaj të akuzuarve është ngritur pas afatit ligjor dhe jo konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale.

Ai shtoi edhe se hetimet lidhur me këtë rast kanë nisur duke u bazuar në prova të papranueshme, duke i propozuar gjykatës që të njëjtat t’i shpallë prova të papranueshme.

Lidhur me këtë, prokurori special, Dren Paca deklaroi se mbrojtësit kanë paraqitur kundërshtimet sa i përket çështjes së hetimeve dhe provave të papranueshme, për të cilat tha se është vendosur, për çka konsideroi se në këtë fazë të procedurës nuk është e nevojshme të merren me këtë çështje.

Ndërkaq mbrojtësi i të akuzuarit Fadil Sadiku, avokati Skënder Musa kërkoi nga gjykata që seanca të ndërpritet, me arsyetimin se nuk mund të vazhdohet tutje pa qenë të pajisur me të gjitha provat shfajësuese.

“Nuk jemi të pajisur me të gjitha shkresat e lëndës, për shkak se prokurori EULEX-it Kent Mortimor, ka theksuar në seancë se ekziston një dosje e madhe e këtij rasti e quajtur, “Dosja ghost”, të gjitha këto prova janë prova shfajësuese dhe në atë procesverbal prokurori ka shprehur habinë pse nuk është dorëzuar nga prokurori paraprak, Marie Bamje, prandaj duke pasur parasysh dispozitat e Kodit të Procedurës lidhur me barazimin e armëve, midis Prokurorit të Shtetit dhe të akuzuarve, kërkojmë që të obligohet PSRK, që të na dorëzoj dosjen në gjuhen shqipe para se të lexohet aktakuza dhe të ndërmerren veprime tjera procedurale”, tha Musa.

Por një gjë e tillë u kundërshtua nga prokurori Paca, i cili deklaroi se PSRK e ka përmbushur obligimin e saj ligjor për pajisjen e të akuzuarve me provat, pasi që sipas tij, prokuroria i ka dorëzuar gjykatës CD-të me përmbajtjen e të gjitha provave.

“Për korrektësi kjo është bërë nga prokurorët, Hejki Wendoft dhe Armend Hamiti”, tha Paca.

Avokati Musa deklaroi se duhet të respektohet roli i të gjitha palëve në procedurë dhe të respektohen të drejtat e garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Është obligim i gjykatës që të na i siguroj provat shfajësuese që ne nuk i kemi. Nuk është qëllimi i mbrojtjes që të zvarris procesin, por qëllimi im dhe i të gjithë mbrojtësve është që t’i mbrojmë fuqishëm dhe në mënyrë argumentuese të mbrojturit tonë, dhe ta vërtetojmë pafajësinë e tyre”, tha ai.

Musa shtoi se dosjet në fjalë janë përmendur në seancë publike, janë në procesverbal dhe se vazhdimisht të njëjtat janë kërkuar nga mbrojtja.

“PSRK nuk e ka kryer obligimin e saj kushtetues dhe ligjor, prandaj është e pamundshme që i mbrojturi im sot të deklarohet rreth fajësisë pa i pasur t gjitha shkresat e lëndës që janë përmendur në këtë çështje penale”, deklaroi avokati Musa.

I njëjti kërkoi nga gjykata që të merr aktvendim me të cilin obligohet PSRK që të gjithë mbrojtësit dhe të akuzuarit të pajisen me të gjitha provat, duke shtuar se këtë kërkesë e bën bazuar në Kushtetutën dhe Konventat ndërkombëtare direkt të zbatueshme në Kosovë.

Ky propozim u përkrah edhe nga avokati Zhitia, raporton “Betimi për Drejtësi.

“Gjatë gjithë procedurës së kaluar prokurorët janë arsyetuar se provat janë konfidenciale, nuk kanë autorizim që t’i shpalosin apo t’i dorëzojnë, ashtu që  ne nuk mund të themi se kemi pranu kur si kemi pa hiq, as se kemi ditë që ekzistojnë”, tha ai.

Lidhur me këtë, prokurori Paca tha se mbrojtësit po pretendojnë se provat nuk janë dorëzuar, mirëpo sipas tij avokati Zhitia deklaroi se kanë pranuar disa fajlle.

“Z.Zhitia deklaroi se janë dorëzuar disa fajlle ku edhe elaboroi përmbajtjen e tyre. Konsiderojmë se vet fakti që avokati Zhitia e di përmbajtjen e këtyre disketave dhe theksoi se i kanë pranuar ato e vërteton qe prokuroria ka kryer obligimin e saj për të zbuluar të gjitha provat”, tha Paca.

Mirëpo, sa i përket propozimit të avokatit Musa, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Vesel Ismajli mori vendim që seanca të ndërpritet deri në afat të pacaktuar, në mënyrë që të shqyrtohen dhe analizohen të gjitha provat.

Ndryshe, në fillim të seancës, kur gjykatësi Ismajli pyeti të akuzuarit nëse pajtohen që aktakuza të konsiderohet e lexuar, mbrojtësi i të akuzuarit Mehmet Mehmeti, avokati Ymer Huruglica e pyeti prokurorin Paca se cila është aktakuza.

Lidhur me këtë, prokurori special deklaroi se çështja sa i përket aktakuzave është sqaruar nga kryetarja e atëhershme e trupit gjykues, Ana Adamska, në procesverbalin e datës 25 gusht 2014.

“Po me këtë datë z.Huruglica kishte pasur të njëjtat dilema dhe nga kryetarja e trupit gjykues ishte sqaruar se është përpiluar aktakuza e konsoliduar e datës 22 gusht 2014, dhe sipas saj është vazhduar edhe me fjalën hyrëse dhe shqyrtimin gjyqësor”, sqaroi prokurori Paca.

Në përfundim të seancës, avokati Huruglica kërkoi nga gjykata që të marr vendim me të cilin monitoruesve nuk do t’u lejohet publikimi i emrave të të akuzuarve.

Kërkesën e tij e mbështeti edhe klineti i tij Mehmeti Mehmeti, i cili tha kishte marrë vazhdimisht kërcënime për të cilat tashmë ka iniciuar edhe procedurë penale.

“Jena marrë vesh na në fillim për këtë çështje”, ishte përgjigja e gjykatësit Ismajli.

Por pas përfundimit të seancës, i pyetur nga monitoruesit nëse kishte një vendim i cili ndalonte publikimin e emrave të të akuzuarve, gjykatësi deklaroi se për këtë rast nuk ka ndonjë vendim,
por ka vendime për raste të tjera.

Ndryshe kjo seancë filloi rishtazi për shkak të ndryshimit të përbërjes së trupit gjykues, ndonëse nga kthimi në rigjykim asnjë seancë nuk kishte arritur të mbahet, rrjedhimisht nuk ishte ndërmarr asnjë veprim procedural.

Në këtë seancë prezantoi vetëm i dëmtuari Xhelal Sinani, ndonëse ishin ftuar edhe të dëmtuarit tjerë, Liridon Nisheci, Vegim Zeneli, Luan Kadrium Gzim Syla, Shkelqim Syla, Esat Hajdari, Naim Hyseni, Fadil Berisha, Muharrem Sllamniku dhe Osman Murati.

Ndryshe, gjykata e shkallës së parë, më 29 korrik të vitit 2016, shtatë të akuzuarit i kishte liruar nga akuzat për shpërthimin në lokalin “Sekiraqa” në Prishtinë, me arsyetimin se mbrojtjes së të akuzuarve nuk u ishin zbuluar provat shfajësuese dhe se vazhdimi i gjykimit do të shpinte në shkelje të mëtejshme të parimit të gjykimit të rregullt.

Por, ky rast ishte kthyer në rigjykim në prill të vitit 2017, nga Gjykata e Apelit, pas ankesës së prokurorisë, se vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk ishte i drejtë. Gjetjet e gjykatës së shkallës së parë se mos zbulimi i provave shfajësuese përbën arsye për refuzimin e akuzës, sipas Apelit kjo rrethanë nuk përbën arsye për refuzimin e akuzës.

Sipas prokurorisë, më 24 shtator 2007, të akuzuarit Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti, në bashkëkryerje më Besnik Hasanin, Shpend Qerimin dhe më ndihmën e Afet Dalloshit, pretendohet se kishin vendosur dhe shpërthyer një mjet plasës në objektin e lokalit “Sekiraqa”, në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë.

Si pasojë e këtij shpërthimi kishin humbur jetën Naim Murati dhe Plaurat Allamniku dhe ishin lënduar pesë persona të tjerë.

Të akuzuarit pretendohet se kishin vendosur dhe shpërthyer një mjet plasës në objektin ku ndodhej lokali “Sekiraqa”, si shenjë hakmarrjeje ndaj Enver Sekiraqës, i cili dyshohet se ishte i përfshirë në vrasjen e policit Triumf Riza. /BetimipërDrejtësi