Ngritet edhe një aktakuzë për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Administratës në Prizren

prokuroria
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Gusht 22, 2019

Prizren – Prokuroria Themelore në Prizren, të enjten, ka ngritur aktakuzë kundër ish-drejtorit të Administratës në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në komunikatën e Prokurorisë thuhet se, i akuzuari e ka kryer veprën penale gjatë periudhës 13-22 maj 2018, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare të tij, të përcaktuara me ligj.

“Brenda periudhës kohore të cekur më lartë, bënë shpërndarjen e pasurisë jo financiare (Llaptop dhe çanta të llaptopëve) për asambleistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë, nga sasia totale prej 43 copësh dhe në vërtetimin mbi pranimin e llaptopëve të nënshkruar nga asambleistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik, ashtu siç parasheh Ligji për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, si dhe Rregullorja e Ministrisë së Financave për menaxhimin e pasurisë jo financiare në organizatat buxhetore, ndërsa për 3 llaptopë të tjerë nuk ka prova se të njëjtët u janë shpërndarë personave për të cilat kanë qenë të destinuar” thuhet në komunikatë.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime Baldedaj i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej rreth 19,350.00 euro.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cilat i vihet në barrë”, përfundon komunikata.

Ndryshe, ish-drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj, më 25 maj të vitit të kaluar ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren dhe ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai akuzohej nga Prokuroria Themelore në Prizren, se gjatë periudhës gusht 2015 – dhjetor 2016, duke vepruar në cilësinë e drejtorit të administratës komunale të Prizrenit, kishte lidhur kontrata në mënyrë të paligjshme me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale.

Sipas aktakuzës, Baldedaj kontratat i kishte lidhur me televizionet lokale pa procedura tenderuese, megjithëse kontratat parashohin pagesa mujore për një vit e që kalojnë shumën prej 1000 mijë euro, deri në të cilën shumë mund të lidhen kontrata pa kaluar në procedura tenderuese.

Aktakuza fillestare pretendonte se i akuzuari televizionit “Opinion” i ka paguar rreth 37 mijë euro, televizionit “Besa” rreth 25 mijë euro dhe televizionit “Prizreni” rreth 10 mijë euro, mirëpo pas ekspertizës së bërë gjatë gjykimit, organi i akuzës e ka reduktuar shumën e paguar ndaj televizioneve në 17.100 euro. /Betimipërdrejtësi