Ngritet aktakuzë për falsifikim të parasë ndaj pesë personave

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Prizren- Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: B.B., T.P., V.Z., L.E., dhe A.P., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë falsifikuar para.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për medie nga Prokuroria Themelore në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri B.B., gjatë periudhës së muajit tetor e deri në fillim të muajit nëntor të vitit 2021, në Prizren është vërtetuar se i njëjti me dashje posedon para të falsifikuara me qëllim të vënies në qarkullim të tyre si të vërteta.

Aktakuza thotë se përgjatë periudhës së lartpërmendur ia shet të pandehurit T.P., 1 mijë e 250 euro, të gjitha në monedha metalike nga 2 euro, me qëllim që ky i fundit t’i vë të njëjtat në qarkullim si të vërteta, me ç’rast i pandehuri T.P., pajtohet që t’i blejë të njëjtat për shumën e parave prej 900 euro, duke i paguar në mënyra periodike.

Tutje thuhet se i njëjti, herën e parë për 300 euro falso paguan 200 euro origjinale, ndërsa herën e dytë për 400 euro falso paguan 300 euro origjinale, derisa në herën e tretë për 550 euro falso paguan 400 euro origjinal, ashtu që në total i pandehuri B.B., arrin t’i shes 1 mijë e 250 euro falso për 900 euro.

Ndërsa, të pandehurit T.P., V.Z., L.E., dhe A.P., thuhet se gjatë periudhës kohore muaji tetor deri në fillim të muajit nëntor të vitit 2021, me dashje dhe në bashkëkryerje kanë vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta, në atë mënyrë që në cilësinë e punëtorëve si kamarierë në njërin prej lokaleve të gastronomisë në Prizren, paratë e falsifikuara të cilat i pandehuri T.P., i kishte siguruar – blerë nga i pandehuri B.B., ia dorëzon kolegëve të tij – të pandehurve: V.Z., L.E., dhe A.P., me qëllim që të njëjtit t’i vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta.

Aktakuza thotë se i pandehuri T.P., mban paratë e falsifikuara në veturën e tij të markës ‘’VW Polo’’, e parkuar ne bodrumin e njërës prej Qendrave Tregtare në Prizren, nga e cila veturë më pas iu dorëzon kolegëve të pandehurve: V.Z., L.E., dhe A.P., të gjitha në monedha metalike nga 2 euro, të cilat të njëjtit i vënë në qarkullim si të vërteta në drejtim të klientëve të ndryshëm të cilët kanë vizituar lokalin, ku secili prej të pandehurve si shpërblim kanë ndarë nga 25 euro origjinale në pjesë të barabarta.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se pas zbatimit të urdhër-kontrollit të gjykatës nga ana e policisë, arrijnë t’i gjejnë 195 monedha metalike nga 2 euro në veturën ‘’VW Polo’’ në pronësi të të pandehurit T.P., dhe një shumë tjetër parash të falsifikuara nga 2 euro  nëpër kuletat e pazarit ditor të të pandehurve V.Z., L.E., dhe A.P., ku në total, policia arrin të sekuestrojë nga të pandehurit 390 euro falso.

Në këtë mënyrë, të pandehurit e lartcekur ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë” nga neni 296, paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.    /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë