Ngritët aktakuzë ndaj një zyrtari doganor, ngarkohet se mori 20 euro ryshfeti

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

PrizrenProkuroria Themelore në Prizren, të mërkurën, ka ngritur aktakuzë kundër zyrtarit doganor P.X., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media, ku thuhet se ekziston dyshimi se zyrtari në fjalë ka marrë 20 euro ryshfet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri P.X., me datë 16.09.2021 rreth orës 22:10, në pikë kalimin kufitar në Vërmicë, në cilësinë e personit zyrtar- Doganier i Doganave të Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkon dhe pranon përfitim pasuror për vete në mënyrë që i njejti të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që qytetari V.K., me rastin e kalimit në pikën doganore duke drejtuar automjetin e tij, me t’u ndaluar nga ana e të pandehurit është pyetur nëse ka ndonjë mall për ta doganuar i cili ka deklaruar se në bagazhin e veturës së tij ka dy autopjesë të përdorura, për të cilat i pandehuri ia ka kumtuar shumën e taksës doganore për të cilat dëshmitari detyrohej ta paguante, mirëpo i njejti shfrytëzon rastin dhe kërkon privatisht nga dëshmitari shumën prej 50 € (Pesëdhjetë euro) në mënyrë që ky i fundit të mos i nënshtrohej taksës doganore, derisa dëshmitari paraprakisht ka raportuar rastin tek Autoriteti i Hetuesisë Doganore dhe pajtohet që t’ia jap të pandehurit shumën prej 20 € (Njëzet euro) ashtu që i pandehuri pranon paratë në fjalë dhe e liron dëshmitarin. “

Në fund, bëhet e ditur se prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë.

Ndryshe, P.X. akuzohet për veprën penale nga neni 421, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryesi I së cilës dënohet me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. PranoLexo më shumë