Ngriten tensionet në seancën ku gjykohet i akuzuari për 60 euro ryshfet

Diana
Author

Raporton: Diana BERISHA

Shkurt 9, 2016

Prishtinë, 9 Shkurt 2016 – Tensionet e ngritura si rezultat i pakënaqësive të të akuzuarit Gafurr Buja gjatë seancës gjyqësore të mbajtur të martën kanë detyruar kryetaren e trupit gjykues, Shadije Gërguri, që të angazhojë policinë për të rritur nivelin e sigurisë në sallën e gjykimit. I akuzuari Buja, gjatë sfidës në pyetjet e prokurores Dulina Hamiti, shprehi pakënaqësi për trajtimin e tij, duke pretenduar se vazhdimisht iu ishte mohuar e drejta që të shprehej. “Jam i pafajshëm dhe ka kalu kohë e gjatë me këtë rast… Ju nuk dini kurgjo, nuk po punoni qysh duhet…”, ishin disa prej reagimeve të të akuzuarit Buja.

Sipas aktakuzës së prokurores, Dulina Hamiti, i akuzuari Gafurr Buja, derisa kishte shërbyer si mbikëqyrës i punëtorëve të sigurimit “Security Code” në Fshatin Radevë të Komunës së Graqanicës tek pishina e peshqëve kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Prokuroria pretendon se Buja kishte urdhëruar puntorët e sigurimit Nexhmedin dhe Rexhep Buja që të gjithë personave që kishin shkuar për të peshkuar në pishinë, t’ua kërkonin nga 5 euro. Në këtë mënyrë ata kishin përfituar shumën e cila arrinte deri në 60 euro, të cilën ia kishin dhënë Gafurr Bujës.

Në mbrojtjen e tij, i akuzuari Buja ështe deklaruar kundër aktakuzës, duke theksuar se nga fillimi i seancës gjyqësore ai është deklaruar i pafajshëm. Në pyetjet e parashtruara nga prokurorja Hamiti, i akuzuari Buja, është përgjigjur rreth përgjegjësive dhe detyrave që ka pasur në punë, duke theksuar se prej korrikut 2011 si mbikëqyrës i Pishinës kishte pasur për detyrë të kontaktonte drejtëpërdrejtë AKM-në (Agjencioni Kosovar i Mirëbesimit). Sipas tij, ky veprim tregon se të gjitha përgjegjësitë janë kryer dhe janë aprovuar nga AKM.

Në fjalën përfundimtare i akuzuari Gafurr Buja tha se e ndjen veten plotësisht të pafajshëm dhe mbetet në tërësi pranë deklaratave të më hershme. Trupi gjykues në seancën e radhës të caktuar më 12 shkurt do shpall aktgjykimin për këtë rast.