Nga një muaj paraburgim për tre të dyshuarit për vrasje të mbetur në tentativë

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Pejë – Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji, ndaj të pandehurve E.L, M.Q dhe F.U, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media të Gjykatës së Pejës, ku thuhet se është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Pejë, për caktimin e masës në fjalë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit e kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen dhe duke e pas parasysh se të njëjtit fillimisht janë arratisur dhe për një kohë kanë qenë të paarritshëm për organet e ndjekjes andaj, me gjetjen e mundshme të tyre në liri mund të arratisen dhe të pengojnë rrjedhën normale të procedurës. Gjithashtu, dëshmitarët e rastit ende nuk janë dëgjuar dhe  të pandehurit janë shokë të ngushtë me njëri – tjetrin andaj, po qe se të pandehurit gjenden në liri do të mund të ndikonin në dëshmitarë dhe të bashkërendojnë mbrojtjen me njëri – tjetrin e në këtë mënyrë do të vështirësonin procedurën e hetimeve. Nga të lartcekurat, gjykata ka gjetur se paraburgimi është masa adekuate për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.”, thuhet në komunikatë.

Sipas të njëjtës, gjykata sipas detyrës zyrtare ka vlerësuar edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurve në procedurë, mirëpo sipas të njëjtës, në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate.

“Me datë 15.04.2021, rreth orës 20:55 minuta, pas marrëveshjes paraprake, të pajisur me thika, tentojnë t’a privojnë nga jeta të dëmtuarin D.M, në atë mënyrë që deri sa i dëmtuari ishte duke e festuar ditëlindjen, me t’ua hap derën i dëmtuari, të pandehurit e sulmojnë me thika dhe largohen nga vendi, me ç’rast dëshmitarët e lajmërojnë policinë. Me këto veprime të pandehurit si bashkëkryes kishin për të kryer veprën penale vrasje e mbetur në tentativë, nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së”, bëhet e ditur në komunikatë.

Në fund thuhet se kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë