Nga mungesa e avokatëve dështojnë 13 seanca në Gjykatën e Lipjanit

lipjan
Author

Raporton: Vjollca QERIQI

Janar 9, 2019

Lipjan – Mungesa e avokatëve për shkak të bojkotit ka bërë që të dështojnë 13 seanca të parapara të mbahen të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan

Numrin e seancave të dështuara që kanë qenë të parapara të mbahen gjatë së mërkurës, e kanë konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, gjykatësit që i kanë pasur në orar mbajtjen e këtyre seancave.

Gjykatësi Selman Salihi, deklaroi se në divizionin penal për të mërkurën ka dështuar vetëm një seancë gjyqësore, e llojit vjedhje, ku ka munguar avokati i palës së akuzuar.

Kurse, sipas gjykatësve Avdirrahman Gashi, Zenel Tasholli, Isa Gashi dhe Elvira Emini, në divizionin civil të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, për shkak të bojkotit kanë dështuar 12 seanca gjyqësore.

Sipas gjykatësit Tasholli, për shkak të mungesës së avokatëve, tek ai kanë dështuar pesë seanca gjyqësore, ku tri prej tyre kanë qenë shpronësim, një kompensim i pagave dhe njëra kompensim dëmi.

Kurse, sipas gjykatësit Isa Gashi, kanë dështuar katër seanca, ku të gjitha kanë qenë shpërblim dëmi.

Sipas gjykatëses Elvira Emini, tek ajo kanë dështuar dy seanca, njëra ka qenë kompensim i pagave jubilare dhe tjetra kompensim dëmi.

Sipas gjykatësit mbikëqyrës Avdirrahman Gashi, tek ai ka dështuar vetëm një seancë, e cila ishte vërtetim pronësie.

Ndërsa, krejt ky dështim i seancave ka ardhur, pas vendimit të Odes së Avokatëve të Kosovës, ku thuhet do të bojkotohen të gjitha seancat gjyqësore në të gjitha gjykatat e Kosovës, përderisa nuk tërhiqet rekomandimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për kufizimin e qasjes së tyre në gjykata.