Nga 16 marsi PSRK-ja nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për masë të sigurisë në Departamentin Special

Prokuroria Speciale
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Mars 24, 2020

Prishtinë – Kanë kaluar më shumë se një javë që nga reduktimi i aktiviteteve në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe gjykatave të Kosovës, në funksion të parandalimit dhe mbrojtjes nga virusi Covid-19, e që nga 16 marsi në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë nuk ka arritur asnjë kërkesë për masë të sigurisë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Këtë informatë për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special nga data 16.03.2020 e deri më sot datë 23.03.2020 nuk është pranuar asnjë kërkesë për caktimin e masave të sigurisë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, ka thënë Gashi.

Gashi ka ripërsëritur se puna në Gjykatën Themelore në Prishtinë është duke vazhduar në të gjitha departamentet dhe se në secilin departament janë të caktuar gjyqtarë kujdestar dhe nga një referent.

“Gjykata Themelore në Prishtinë është duke funksionuar në secilin departament të saj, ku në secilin departament janë të caktuar gjyqtarët kujdestarë dhe nga një referentë”, ka shtuar Gashi.

Sipas Gashi, aktualisht nga zyrtarët e kësaj gjykate janë duke u pranuar shkresa, ankesa dhe kërkesa të natyrës urgjente.

Ndryshe më 15 mars 2020, KGJK ka marr vendim që të reduktojë esencialisht të gjitha aktivitetet në kuadër te KGJK-së dhe të gjitha gjykatave në Kosovë.

Sipas kësaj mase, që ka hyrë në fuqi nga 16 marsi, gjykatat do të kryejnë vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente, ato të caktimit të masave për sigurimin e prezencës së të pandehurve-paraburgimit apo masave tjera, rastet e dhunës në familje, masave tjera si dhe rasteve tjera urgjente që eventualisht mund të paraqiten. /BetimipërDrejtësi