NGA 10 MUAJ BURGIM ME KUSHT DHE GJOBË 500 EURO PËR DY TË AKUZUARIT PËR SHPËRDORIM TË PASURISË SË HUAJ DHE KALLËZIM TË RREMË
Raporton: Verona KADRIU
Ferizaj – Të premten në Gjykatën Themelore në Ferizaj dy të akuzuarit Milazim Jakupi i cili akuzohej për veprën penale “shpërdorimi i pasurisë së huaj” dhe Rexhep Haliti i akuzuar për veprën penale “ndihmë në kryerjen e veprës penale shpërdorimi i pasurisë së huaj”, si dhe veprën penale në bashkëkryerje “lajmërimi apo kallëzimi i rremë” pasi kanë pranuar fajësinë janë dënuar me nga 10 muaj burg me kusht dhe 500 euro gjobë.
Shpallja e aktgjykimit është bërë të premten në Gjykatën Themelore në Ferizaj nga gjykatësi individual i çështjes Ilir Bytyqi
Milazim Jakupi i akuzuar për veprën penale “shpërdorimi i pasurisë së huaj” u dënua me burgim me kusht në kohëzgjatje prej dhjetë muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej 300 euro. Po ashtu i pandehuri i dytë në këtë çështje penale Rexhep Haliti i akuzuar për veprën penale “ndihmë në kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të pasurisë së huaj” u dënua me burgim me kusht në kohëzgjatje prej dhjetë muaj si dhe dënim me gjobë në shumë prej 300 euro. Kurse për veprën penale në bashkëkryerje “lajmërimi apo kallëzimi i rremë”, secilit veç e veç i’u shqiptua dënimi me gjobë në shumë prej 200 euro.
Sipas pikës 1 të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i pandehuri Milazim Jakupi akuzohej për veprën penale “shpërdorimi i pasurisë së huaj” sepse më 29 qershor 2013 në Ferizaj, në pompën e derivative “Euro Miti”,në cilësinë e punëtorit me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të luajtshme e që vetës apo tjetrit t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, paraprakisht ka inskenuar rastin e grabitjes me bashkë të akuzuarin Rexhep Haliti dhe kanë përvetësuar të hollat në shumë 1500 euro.
Pika 2 e aktakuzës ngarkonte të pandehurin Rexhep Haliti për veprën penale “ndihmë në kryerjen e veprës penale shpërdorimi i pasurisë së huaj” sepse në të njëjtën datë, kohë dhe vend, ka ndihmuar punëtorin Milazim Jakupi dhe paraprakisht janë marrë vesh që të inskenojnë rastin e grabitjes që në mënyrë të kundërligjshme të përvetësoj shumën prej 1500 euro.
Pika 3 e aktakuzës ngarkonte të pandehurit për veprën penale në bashkëkryerje “lajmërimi apo kallëzimi i rremë” nga sepse më 29 qershor 2013, rreth orës 01:00, në Ferizaj në bashkëkryerje janë marrë vesh dhe kanë lajmëruar rrejshëm personin zyrtar të ngarkuar për ndjekjen e personave të panjohur që kanë kinse kanë kryer veprën penale të grabitjes në atë mënyrë që gjersa i pandehuri Milazim Jakupi duke punuar në pompën e derivative “Euro Miti”, nën kërcënimin e mjetit të rrezikshëm- thikës i kanë marrë 1500 euro dhe janë larguar nga aty edhe pse të pandehurit e kanë ditur se vepra penale nuk është kryer.