Nga 1 muaj paraburgim për katër të dyshuarit për trafikim me njerëz, ndërsa arrest shtëpiak për të dyshuarën e pestë

Raporton: Arlinda MUQA

Pejë- Gjykata Themelore në Pejë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe ua caktoi masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurve I.M, E.Z, M.I dhe J.A dhe caktimin e masës së arrestit shtëpiak prej një muaji, ndaj të pandehurës M.XH.

Këtë e bëri të ditur zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti me anë të komunikatës për medie, raporton ‘’Betimi për Drejtësi’’.

Në komunikatë thuhet se pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit kanë kryer veprën penale për ta cilën dyshohen, e duke e pas parasysh natyrën e rëndë të veprës penale për të cilën parashihet sanksion mjaft i lartë, gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshimi që me gjetjen e të pandehurve në liri, me qëllim mund t’i shmangen kontaktit me organet kompetente shtetërore.

Ndërsa, thuhet se duke e pasur parasysh mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së kësaj vepre, ekziston rreziku që të pandehurit të përsërisin veprën e njëjtë apo të kryejnë vepër të re penale në dëm të të dëmtuarës apo personave të tjerë.

Gjithashtu, theksohet se në këtë çështje ende nuk janë dëgjuar dëshmitarët, nuk janë kryer ekzaminimet mjekësore dhe provat e tjera që janë të rëndësishme për hetim andaj, me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri ekziston rreziku që të njëjtit të ndikojnë në dëshmitarë dhe të pengojnë rrjedhën pa pengesa të procedurës.

“Më datë 12.10.2021 e në vazhdimësi gjer me datë 16.10.2021, duke vepruar si grup i organizuar, marrin pjesë në trafikimin e qenieve njerëzore dhe atë të një të dëmtuare, të cilën nën kërcënimin dhe përdorimin e forcës e vejnë në shfrytëzim për përfitim material përmes shërbimeve seksuale me pagesë me personat e tjerë”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime, të pandehurit kishin për të kryer veprën penale “trafikim me njerëz”, nga neni 165 par.3 lidhur me par.1 dhe nenin 77 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë