Nezir Mehmetaj për më shumë se një vit po mbahet në paraburgim në Serbi, familjarët të zhgënjyer me shtetin e Kosovës

Raporton: Nuraje BLLACA

Prishtinë – Nezir Mehmetaj nga fshati Rudnicë e Komunës së Klinës ishte arrestuar në pikëkalimin kufitar në Merdarë nga autoritetet e Serbisë më 3 janar të vitit 2020, kur Mehmetaj po kthehej në Kosovë, pasi ai kishte qenë në Serbi për të shoqëruar nënën e tij në spital në Nish. Nga ajo kohë, Mehmetaj është në paraburgim.

Ministria e Drejtësisë lidhur me shtetasin kosovar Nezir Mehmetaj, i cili gjendet në burgjet e Serbisë për më shumë se një vit, kishte dërguar një letër zyrtare në adresë të Zyrës së BE-së në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas letrës së dërguar nga ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi, të 2 korrikut 2020, ai i bënte thirrje Shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë-Përfaqësuese e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, në mënyrë që procedura gjyqësore ndaj Mehmetaj të transferohet në Kosovë.

Zyra për Komunikim Publik(ZKP) e Ministrisë së Drejtësisë (MD-së), referuar kërkesës për informata nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka bërë me dije se përmes kësaj letre ishte kërkuar nga Apostolova, që të përdorë fuqinë e saj diplomatike për të bindur autoritetet serbe që të respektojnë Marrëveshjen Dypalëshe të nënshkruar ndërmjet dy vendeve, me mbështetjen e BE-së, në mënyrë që procedura të transferohet në Kosovë.

Po ashtu, Ministria e Drejtësisë përmes përgjigjes së tyre njofton se përmes kësaj letre është kërkuar që prokuroria serbe të përdorë këto mekanizma për të bashkëpunuar me prokurorinë në Kosovë për të transferuar provat dhe procedurat në Kosovë, nën lehtësimin e BE-së.

Në këtë përgjigje të pranuar nga Ministria e Drejtësisë thuhet se këto veprime janë mënyra e vetme për të siguruar që qytetarët tanë të marrin mbrojtjen e nevojshme.

Për IKD-në ka folur edhe vëllai i të arrestuarit Mehmetaj, Valon Mehmetaj.

Valon Mehmetaj ka deklaruar se si pasojë e këtij rasti ndihen të lënduar nga shteti i Kosovës pasi që sipas tij s’ka asnjë veprim konkret nga institucionet e shtetit për t’i dal në ndihmë vëllait të tij.

‘‘Akoma s’ka diçka si rezultat konkret që është punuar nga institucionet e shtetit tonë dhe sinqerisht në çdo aspekt jemi dëmtuar dhe jemi lënduar më shumë nga shteti ynë se sa nga vet shteti i Serbisë sepse prej këtij të fundit nuk presim ndryshe’’, tha Mehmetaj.

Ai ka deklaruar se familja e tyre janë duke u angazhuar në forma të ndryshme që ta shpëtojnë familjarin e tyre Nezir Mehmetaj.

‘‘Jemi në pritje për fillimin e seancave gjyqësore ku aty shpresojmë dhe besojmë që do ketë rezultat të mirë dhe të pritur sepse me pa të drejtë është mbajtur dhe po mbahet’’, deklaroi tutje Valon Mehmetaj.

Në fund ai është shprehur falënderues ndaj të gjithë atyre personave që i kanë përkrahur.

‘‘Faleminderit tona shkojnë në adresë të cilido që ka tentuar dhe është munduar të na përkrah së paku moralisht duke na jep kurajo që të jemi më të qëndrueshëm’’, ka deklaruar ai./BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë