Nenad Laziq zgjidhet zëvendës kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Ishte rundi i dytë, i cili e përcaktoi zgjedhjen e Nenad Laziq, zëvendës kryesues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), duke mundur kështu kundër kandidatin Skënder Çoçaj.

Nga 11 anëtarë të Këshillit sa ishin prezent,7 vota shkuan për Laziq, ndërsa 4 vota për anëtarin Çoçaj.

Laziq në rundin e parë morri 5 vota, Çoçaj 4 sish, ndërsa Makifete Saliuka morri vetëm 2 vota, votim ky i cili  i obligoi anëtarë e Këshillit që të votojnë edhe në rundin e dytë.

Në këtë rund të gjithë anëtarët e Këshillit patën mundësinë që të votojnë vetëm për dy anëtarët Nenad Laziq dhe Skënder Çoçaj, të cilët në rundin e parë kishin siguruar më së shumti vota.

Bazuar në Ligjin për KGJK-në, zëvendës kryesuesi i plotëson  përgjegjësitë  dhe  detyrat  e  kryesuesit, në këtë rast të  kryesuesit Nehat Idrizi, kur  i njëjti mungon.  Po ashtu zëvendës kryesuesi  ka  autoritet  të  plotë  për  të  vepruar  në  emër  të  Këshillit  në  rast  të  mungesës  apo paaftësisë së kryesuesit.

Njëzëri u votua edhe propozimi për emërimin e nënkryetares së Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, ku në këtë post u zgjedhë gjykatësja, Gyltete Sylejmani.

Komisioni për vlerësimin e performancës së gjyqtarëve nuk u themelua, e kjo për shkak të propozimit të anëtarit Armend Berisha, pasi sipas tij bazuar në Rregulloren për vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve, anëtarë të këtij komisioni nuk mund të jenë gjyqtarët që mund të kenë qenë në procedura disiplinore, përveç qortimit që është formë më e butë e sanksionit.

Pas këtij propozimi, Këshilli vetëm propozoi kandidatët e mundshëm për komision, e për të cilët do të vendoset në mbledhjet e ardhshme, pas shqyrtimit të dosjeve të çdo gjyqtari. Ky komision do të jetë në përbërje prej 13 anëtarësh, ku 5 anëtarë do të zgjedhën nga Gjykata Supreme, 4 nga Gjykata e Apelit dhe 3 anëtarë nga Gjykatat Themelore, ndërsa kryetar i komisionit do të jetë nga radhët e anëtarëve të KGJK-së.

Po ashtu u aprovua kërkesa për dorëheqje nga gjykatësi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Nexhmedin Sejdiu, kërkesë kjo e dorëzuar në Këshill për aprovim për shkak të problemeve shëndetësore.

Në këtë mbledhje po ashtu u prezantua raporti mbi zbatimin e Planit Strategjik nga drejtori i Sekretariatit të KGJK-së, Albert Avdiu. Për zbatimin i këtij Plani do të raportohet vazhdimisht deri në vitin 2019, ashtu siç është paraparë.

Si pika të mbyllura të rendit të ditës ishin shqyrtimi i tre ankesave disiplinore dhe shqyrtimi i një kërkesë të dorëzuar nga EULEX.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë