NË SHTATOR FILLON GJYKIMI NDAJ DREJTORIT TË SPORTIT NË MNISTRINË E KULTURËS
Raporton: Lutfi MORINA
Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, është mbajtur seanca e vlerësimit të kundërshtimit të aktakuzës ndaj të pandehurit Ibër Alaj, Drejtor i Departamentit për Sport në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, i cili akuzohet nga Prokuroria se ka keqpërdorur pozitën zyrtare, me rastin e punimeve të bëra në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren.
Mbrojtësi i të pandehurit, avokati Osman Havolli, ka mbetur pranë kërkesës për hudhjen e aktakuzës të bërë me shkrim dhe të shtjelluar në shqyrtimin e dytë, duke theksuar se aktakuza ndaj të mbrojturit të tij është juridikisht e paqëndrueshme.
Prokurori i çështjes, Sefer Morina, ka mbetur pranë kundërshtimit të kërkesës së mbrojtjes, të bërë në shqyrtimin e dytë dhe ka kërkuar që të shkohet në shqyrtim kryesor, ku sipas tij do të vërtetohet fajësia e të akuzuarit.
Kryetari i trupit gjykues, Xhevdet Elshani ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës, me arsye se aktakuza përmban prova, të cilat formojnë dyshimin e bazuar mirë se i akuzuari ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.
Mbrojtja është tërhequr nga e drejta për ankesë ndaj vendimit të marrë, andaj gjykimi është caktuar të fillojë më 2 shtator 2016, në ora 10:00.
Më 18 mars 2016, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Ibër Alaj, të cilin e akuzon se ka tejkaluar kompetencat dhe nuk ka përmbushur detyrën zyrtare, në atë mënyrë që i ka mundësuar kompanisë “Getoari” përfitim material, duke e ndryshuar projektin për renovimin e stadiumit “Përparim Thaçi” në Prizren, ku operatori ka pasur për detyrë që të ndërtojë mur rrethues, ndërsa në vend të murit është vendosur një rrethojë metalike.