NË RASTIN E KEK-UT DËSHMON DREJTORI I PËRGJITHSHËM I ‘’BESA SECURITY’’ GRANIT HASANI

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, të enjten, është zhvilluar seanca gjyqësore në rastin e tenderit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ndaj Sami Lushtakut dhe gjashtë të tjerëve për ‘’keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ’mashtrim dhe “falsifikim të dokumeteve”.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, në lidhje me tenderin e KEK-ut përfshihen kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku dhe Drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuar tjerë. Sipas prokurorisë, këta shtatë persona, akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut, ku i akuzuari Sami Lushtaku akuzohet për veprën penale ‘’shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit’’, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha për veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit’’, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku për veprat penale të ’mashtrimit’ dhe ‘’falsifikimit të dokumenteve’’ në bashkëkryerje’, Driton Pruthi për veprat penale ‘keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit’ dhe lidhja e kontratës së dëmshme dhe Azem Duraku për veprën penale ‘’shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit’’.

Procesi gjyqësor ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarit të propozuar nga prokuroria Granit Hasani, Drejtor i Përgjithshëm i Kompanisë “Besa Security”. Dëshmitari Hasani para trupit gjykues deklaroi se për konkurimin në tenderin për sigurinë fizike të objekteve të KEK-ut ndër dokumentet që u ishin kërkuar nga ana e Prokurimit kishin qenë dokumentet bazë të kompanisë përfshi licencat e nevojshme dhe dëshmitë për kapacitete teknike, ekonomike dhe financiare si dhe çmimi më i favorshëm ekonomik.

Hasani deklaroi se ishte njoftuar që vetëm një ofertues i përgjegjshëm kishte arritur t’i plotësoj kriteret e kërkuara dhe kjo ishte kompania “Security Code”, ndërsa autoriteti kontraktues i KEK-ut kishte vendos që të anulohet tenderi, sepse sipas Ligjit të Prokurimit Publik është dashur që pas fazës së shqyrtimit të dokumenteve  të operatorëve ekonomik, të jenë dy apo më shumë operatorë  ekonomik të përgjegjshëm. Dëshmitari Hasani theksoi se pasi e kishte kuptuar se kompania’’Security Code” kishte bërë ankesë, për të cilën Organi Shyrtues i Prokurimit kishte vendosur për ta kthyer në rivlerësim dhe e njëjta kishte bërë rekomandime që mund të shkohet në procedurat e mëtejme për fitimin e tenderit edhe vetëm  me një operator të përgjegjshëm. Sipas Hasanit, OSHP-ja nuk mund të jap rekomandime që çojnë në ndyshimin e dispozitës ligjore.

Tutje, Granit Hasani tha se pas themelimit të Komisionit për rivlerësim, më 19 qershor 2012, përmes emailit iu është kërkuar që dokumentacionin për tender ta plotësojnë edhe me dy licenca ashtu siç e kishte paraparë edhe me vendim Ministri i Ministrisë së Punëve të Brenshme, i cili vendim kishte hyrë në fuqi me 5 maj 2012. Sipas tij, nevojiteshin dy licenca, njëra për shërbimet themelore të sigurimit dhe tjetra për monitorim të sistemit të alarmit.

Dëshmitari Hasani theksoi se Komisioni për rivlerësim e kishte zgjedhur fitues Konsorciumin ‘Security Code& ËDG’, dhe për këtë gjë Hasani si Drejtor i Përgjithshëm i Kompanisë ‘’Besa Security’’ nuk ishte pajtuar me një vendim të tillë pasi në bazë të informatave nga Ministria e Punëve të Brenshme ,“Security Code” nuk dispononte licencën për monitorim të sistemit të alarmit ndërsa kompania’’ËDG” nuk posedonte asnjë licencë dhe së njëjtës i ishte ndaluar të veproj si kompani e sigurimit, sepse pronarët e kësaj kompanie ishin të lidhur me një kompani tjetër që ishte e licensuar për armatim. Po ashtu Hasani shton se si kompani fituese e tenderit ishte dashur që të shpallet kompania’’Besa Security”, sepse sipas tij i kishte plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara. Hasani thekson po ashtu se pas zgjedhjes së Konsorciumit ‘Security Code& ËDG’ fitues të tenderit për ruajtjen dhe sigurimin e objekteve të KEK-ut, i njëjti kishte bërë kërkesë në Zyrën e Prokurimit të KEK-ut që të shikohet dokumentacioni i kompanisë fituese. Hasani deklaroi se pas shikimit të dokumentacionit nuk i ishin treguar licencat, pasi fituesit e tenderit Konsorciumi ‘Security Code& ËDG’ kishin bërë një kërkesë për konfidencialitet e sipas Hasanit licencat janë dokumente publike dhe nuk mund të listohen në kërkesën për konfidencialitet.

Ndërsa sipas avokatit Bajram Tmava për vlerësimin e kritereve më e përshtatshme do ishte sikur të dëshmonte njëri nga anëtarët e Komisionit të rivlerësimit, sepse çdo përgjigje e dëshmitarit Hasani është subjektive dhe sipas tij është konflikt interesi.

Në seancën e enjtes gjyqësore avokati Artan Qerkini, mbrojtësi i të akuzuarit Milazim Lushtaku, deklaroi se KEK-u nuk mund të thirret si palë e dëmtuar pasi nuk ka parashtruar mbrojtje juridike dhe sipas tij kjo është e rëndësishme pasi dihen autorizimet e palës në procedurë, ndërsa gjykatësi Vladimir Mikula deklaroi se lidhur më këtë gjë nuk ka një mendim të qëndrueshëm pasi definimi i palës së dëmtuar bëhet sipas detyrës zyrtare nga ana e prokurorisë dhe policisë dhe kërkesa civile është veprim vullnetar edhe pse KEK-u nuk e ka parashtruar kërkesën civile, sipas gjykatësit, kjo nuk do të thotë se janë tërhequr prej të drejtave të tyre si palë e dëmtuar.

Po ashtu lidhur me këtë, mbrojtësi i të akuzuarit Sami Lushtaku, avokati Arjanit Koci theksoi se në këtë rast nuk ka vepër penale pasi nuk ka dëm material.

Seanca e ardhshme do të mbahet me 11 mars 2016 prej orës 08:30, ku do të vazhdohet me dëshminë e Granit Hasanit,drejtorit të kompanisë”Besa Security”.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë