NË PROCESIN GJYQËSOR NDAJ DREJTORESHËS PËR KADASTËR NË KOMUNËN E PRISHTINËS, DËSHMON DORUNTINA PEÇANI

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë  – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën, në procesin gjyqësor ndaj Nora Kelmendit e akuzuar për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare gjatë ushtrimit të detyrës si Drejtoreshë e Drejtorisë për Kadastër në Komunën e Prishtinës ka dshmuar Doruntina Peçani.

Ky proces gjyqësor, zhvillohet në bazë të aktakuzës së ngritur nga prokurorja Dulina Hamiti, e cila pretendon se e akuzuara Nora Kelmendi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare si Drejtoreshë e Drejtorisë për Kadastër në Komunën e Prishtinës, duke tejkaluar kompetencat e saj i ka mundësuar zyrtarit Rrahim Ramadani vazhdimin e detyrës së tij si zyrtar ligjor edhe pse i njëjti kishte qenë i pezulluar nga kjo detyrë.

Në seancën e së hënës ka dëshmuar Doruntina Peçani, ushtruese e detyrës së udhëheqësës në Zyrën për Regjistrimin e Pronave të Paluajtshme në Drejtorinë e Kadastrit në Komunën e Prishtinës.

Në pyetjet e prokurorës së rastit dëshmitarja Peçani deklaroi se nuk ka asnjë lidhje farefisnore me të akuzuarën Kelmendi dhe se po e njëjta është Drejtoreshë në Kadastrin e Komunës së Prishtinës. Në vazhdim të deklaratës ajo theksoi se ka qenë në dijeni se Rrahim Ramadani është pezulluar nga pozita e tij zyrtare nga Komisioni Disiplinor mirëpo ajo asnjëherë nuk ka pranuar ndonje vendim të shkruar në bazë të së cilit do të vërtetohej pezullimi i tij.

Dëshmitarja Peçani gjatë shqyrtimit gjyqësor i ka përshkurar detyrat dhe përgjiegjësitë që dalin nga pozita e saj. Ajo bëri të ditur se nënshkrimin e të gjitha dokumenteve gjatë periudhës kohore shkurt 2015 i ka bërë ajo vet me vendimin e Drejtoreshës dhe në vend të nënshkrimit të zyrtarit ligjor Rrahim Ramadani siç duhej të ishte ligjërisht ka nënshkruar ajo meqensë i njëjti ishte pezulluar nga puna. Tutje ajo theksoi se në atë kohë kanë qenë edhe në mungesë të stafit të puntorëve.

Ndërkohë në pyetjet e avokatit mbrojtës Bajram Tmava, dëshmitarja Peçani theksoi se Komisioni Disiplinor kishte shqiptuar masë disiplinore jo vetëm për Rrahim Ramadanin por edhe për Artan Hasanin, të cilit i’u kishte shqiptuar masa disiplinore ndërprerje e mardhënies së punës. Ajo gjithashtu bëri të ditur se nuk i kujtohet nëse Drejtoresha e Kadastrit, Nora Kelmendi e kishte informuar rreth kthimit të Rrahim Ramadanit në punë. Përveq kësaj dëshmitarja Peçani deklaroi se nuk ishte në dijeni se Rrahim Ramdani kishte ardhur për të punuar në baza vullnetare. Ajo gjatë sqarimit të detyrave të punës tha se Rrahim Ramadani i ka përpiluar të gjitha shkresat ku më pas ajo i kishte nënshkruar. Ajo shtoi se përgjegjësia e nënshkrimit të këtyre dokumenteve është përgjegjësi e personit zyrtar, i cili e përpilon lëndën dhe po ashtu është përgjegjësi edhe e atij, i cili e kontrollon e që në këtë rast është vetë dëshmitarja.

Në pyetjet e trupit gjykues dëshmitarja deklaroi se nuk i kujtohet asgje konkrete për rastin në fjalë nëse e akuzuara Nora Kelmendi e kishte informuar rreth rikthimit në punë të Rrahim Ramadanit edhe pse ajo shtoi se para çdo vendimi që dëshiron të ndërmarrë së pari konsultohet me Drejtorshën.

Sipas dëshmitares Peçani, në Drejtorinë e Kadastrit brenda asaj periudhe ka pasur shumë lëndë dhe prania e Rrahim Ramadanit në këtë rast ka ndihmuar jashtë mase për shkak se në zyre në atë kohë ishin vetëm tre jurist dhe ka qenë e pamundur që të gjitha detyrat të përfundohen brenda afatit ligjor.

Në bazë të deklaratës konsideroi se e akuzuara Nora Kelmendi nuk ka pasur asnjë qëllim të përfitimit për vete ose për ndonjë person tjetër.

Gjykata morri aktvendim që në seancën e radhës të bëhet leximi i provave si dhe të mbrohet e akuzuara me propozim të avokatit mbrojtës Tmava. Seanca e ardhshme u caktua më 12 prill 2016, në ora 11:00.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë