Në procedurën e veçuar nga rasti i Ukë Rugovës, Izet, Asad dhe Fitim Beqiri deklarohen të pafajshëm 

Raporton: Gzim SHALA

Prishtinë – Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Izet, Asad dhe Fitim Beqiri u deklaruan të pafajshëm për veprat penale për të cilat akuzohen.

Kjo seancë u mbajt pa praninë e të akuzuarës Liridona Beqiri, ndaj të cilës u veçua procedura. Për të njëjtën ishte sjellë një raport mjekësor, se ajo nuk mund të prezantojë në këtë seancë. Përkitazi me këtë, u morrë vendim që të sjellët edhe një raport mjekësor shtesë, se kur e njëjta do të mund të paraqitet në seancë.

Kryetari i Trupit Gjykues Vitor Pardal u bëri palëve me dije se të njëjtit mund të paraqesin kundërshtimet e tyre deri më datë 7 nëntor të vitit 2016.

Sipas aktakuzës, Izet Beqiri akuzohet për krim të organizuar dhe kontrabandim me migrantë. Kjo pasi që sipas aktakuzës, i njëjti kishte kryer disa aktivitete kriminale përkitazi me marrjen e vizave schengen në ambasadën Italiane. Ndërsa, Asad dhe Fitim Beqiri akuzohen se për të pandehurin Izet Beqiri kanë siguruar klientë për pajisje me viza Schengen.

Që të tre të pandehurit, po ashtu, akuzohen për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Kjo procedura po zhvillohet mbi Aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e cila e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grup kriminal duke furnizuar individë me viza Schengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Aktakuza e prokurorit Allen Cansick thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish – ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Në seancën e kaluar, procedura ndaj Izet, Asad, Fitim dhe Liridona Beqiri është veçuar nga procedura e të akuzuarve të tjerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë