Në mungesë të tre të akuzuarve, dështon gjykimi për shpërlarje parash dhe shmangie nga tatimi

IMG-9758
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Janar 26, 2021

Prishtinë – Në mungesë të të akuzuarve Ramadan, Muharrem dhe Flamur Mavraj, është shtyrë gjykimi për shpëlarje parash dhe shmangie tatimi, i paraparë për të martën, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Bashkë me Ramadan, Muharrem dhe Flamur Mavrajn për vepra të njëjta penale po akuzohen edhe Xhelal Kastrati, Valdet Muriqi dhe Rexhë Kastrati, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Shadije Gerguri, gjykata kishte pranuar një njoftim nga i akuzuari Ramadan Mavraj se për shkaqe shëndetësore të njërit familjar të tij, nuk mund të ishte prezent në këtë seancë.

Ndërsa, sipas gjykatëses Gërguri, i akuzuari Muharrem Mavraj dhe mbrojtësi i tij Taulant Rracaj, nuk e kishin arsyetuar mungesën, ndërsa mungesën e të akuzuarit Flamur Mavraj e ka arsyetuar mbrojtësi i tij, avokati Visar Vihapi i cili e ka njoftuar gjykatën se i mbrojturi i tij nuk ishte në gjende të mirë shëndetësore.

Kështu, për shkak të mungesës së tre të akuzuarve seanca e së martës është shtyrë, ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet me 2 mars 2021, në ora 09:30.

Sipas aktakuzës, së ngritur me 21 gusht 2019, Ramadam Mavraj dhe Muharrem Mavraj, nga viti 2010 deri në vitin 2017, në vazhdimësi, me dashje dhe në bashkëveprim me njëri tjetrin, pasurinë e fituar me aktivitet kriminal, me qëllim të konvertimit, transferimit dhe fshehjes së natyrës, burimit të pasurisë kanë kryer deponime dhe tërheqje në të gatshme, në llogari individuale, kanë pranuar dhe transferuar mjete monetare me përshkrimin “kthim borxhi i deponimeve të viteve të mëhershme”.

Në aktakuzë thuhet se ata kanë pranuar dhe transferuar mjete pa mbulesë, me të cilat mjetë kanë blerë prona pa mbulesë financiare.

Me këto veprime ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “ pastrim i parave” nga neni 308 i KPRK -së lidhur me nenin 56 par.1 nën par 1. nën par.1.5 dhe par.3 nën par 1.3 i Ligjit mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit lidhur me nenin. 31 të KPRK-së.

Ndërkaq, sipas aktakuzës, Flamur Mavraj, Xhelal Kastrati, Valdet Muriqi dhe Rexhë Kastrati, akuzohen se që nga viti 2010, e deri në vitin 2014 në vazhdimësi, me dashje dhe në bashkëveprim me njëri-tjetrin, pasurinë e fituar me aktivitet kriminal, me qëllim të konvertimit, transferimit dhe fshehjes së natyrës, burimit të pasurisë kanë kryer deponime dhe tërheqje në të gatshme, në llogari individuale, kanë pranuar dhe transferuar mjete monetare me përshkrimin “huazim ose kthim huazimi”.

Me këto veprime ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “ pastrim i parave” nga neni 308 i KPRK -së lidhur me nenin 56 par.1 nën par 1. nën par.1.5 dhe par.3 nën par 1.3 i Ligjit mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit lidhur me nenin. 31 të KPRK-së.

Sipas prokurorisë ata akuzohen se kanë kryer edhe veprën penale “shmangie nga tatimi”, ashtu që i akuzuari Ramadan Mavraj, nga viti 2010 deri në vitin 2017 në vazhdimësi, në cilësinë e personit përgjegjës të biznesit individual “ALBES” me qëllim të shmangies nga tatimi, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara me ligj, nuk ka deklaruar qarkullimin financiar dhe nuk i ka përfshirë informatat lidhur me të ardhurat e tij, ashtu qe ka dhënë informata jo të sakta nga veprimtaria e vet afariste, me ç’rast ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 63.700.20 euro.

I akuzuari Muharrem Mavraj nga viti 2010 deri në vitin 2017 në vazhdimësi në cilësinë e pronarit të biznesit individual “ALBES” me qëllim të shmangies nga tatimi, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara me ligj, nuk ka deklaruar qarkullimin financiar dhe nuk i ka përfshirë informatat lidhur me të ardhurat e tij, ashtu qe ka dhënë informata jo të sakta nga veprimtaria e vet afariste, me ç’rast ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 334,856.40 euro.

I akuzuari Flamur Mavraj nga viti 2010 deri në vitin 2017 në vazhdimësi, duke qenë i punësuar në biznesin individual “ALBES” me qëllim të shmangies nga tatimi, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara me ligj, nuk ka deklaruar qarkullimin financiar dhe nuk i ka përfshirë informatat lidhur me të ardhurat e tij, ashtu qe ka dhënë informata jo të sakta nga veprimtaria e vet afariste, me ç’rast ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej3,333.60 euro.

I akuzuari Xhelal Kastrati në cilësinë e shitësit të pronës së paluajtshme në vlerë prej 1,500.000 euro, pjesë e tij pronësor 10% me qëllim të shmangies nga tatimi nuk e ka deklaruar këtë transaksion, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës 2,223.60 euro.

I akuzuari Valdet Muriqi, në cilësinë e shitësit të pronës së paluajtshme në vlerë prej 1,500.000 euro, pjesë e tij pronësore 45% me qëllim të shmangies nga tatimi nuk e ka deklaruar këtë transaksion, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës 28,893.60 euro.

I akuzuari Rexhë Kastrati në cilësinë e shitësit të pronës së paluajtshme në vlerë prej 1,500.000 euro, pjesë e tij pronësore 45% me qëllim të shmangies nga tatimi nuk e ka deklaruar këtë transaksion, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës 26,733.60 euro. /BetimipërDrejtësi