Në mungesë të provave shpallet i pafajshëm i akuzuari për pjesëmarrje në grup terrorist

IMG-2161
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Prill 12, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të premten, në mungesë të provave, e ka liruar nga akuza të akuzuarin për “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, Gazmend Halitin.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Isuf Makolli i cili tha se nuk ishte provuar se i akuzuari Haliti ka kryer veprën penale për të cilin është akuzuar.

Ndaj Halitit është ndërprerë edhe masa e paraburgimit.

Ai akuzohej se me 7 gusht 2013, ishte nisur nga Aeroporti i Prishtinës dhe kishte ateruar në aeroportin “Sabiha Gokçen”, në Stamboll të Turqisë, dhe prej aty kishte kaluar në Siri, duke iu bashkëngjitur grupit të shqiptarëve që luftojnë në radhët e organizatës terroriste ISIS.

Haliti kishte qenë i akuzuar edhe në rastin e njohur si “Badovci”, dhe për këtë rast ishte dënuar me vendim të formës së prerë me tri vite e gjashtë muaj burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, lirimin e Halitit e kishte kërkuar edhe mbrojtësi i tij, avokati Asdren Hoxha në seancën e 10 prillit 2019.

Ai kishte thënë se me asnjë provë të vetme prokuroria nuk kishte vërtetuar se i mbrojturi i tij kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej, për shkak se sipas Hoxhës, prokuroria aktakuzën e kishte mbështetur me hipoteza se i mbrojturi i tij kishte qenë në grup terrorist.

“Kjo çështje është zhvillu padrejtësisht”, kishte thënë avokati Hoxha, në fjalën e tij përfundimtare.

Ndërsa, prokurori Afrim Shefkiu, kishte deklaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor, ishte vërtetuar se Haliti kishte qenë në Siri.

Sipas tij, me anë të fotografive me personin Betim Ibrahimaj, i cili nga informatat e policisë ishte vrarë në luftën në Siri, ishte vërtetuar qëndrimi i Halitit në Siri, ku sipas prokurorit, në atë foto ka qenë edhe Fitim Dema, i cili më 21 maj 2016 kishte dhënë  deklaratë në cilësi të dëshmitarit dhe kishte sqaruar që fotot janë bërë në qytetin Azaz të Sirisë.

Por ky dëshmitar sipas gjykatësit Isuf Makolli, nuk kishte mundur të sigurohej nga gjykata dhe për këtë arsye prokurori kishte hequr dorë nga dëgjimi i këtij dëshmitari.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 7 nëntor 2016, i pandehuri Gazmend Haliti, akuzohej se më 17 gusht 2013, nga Aeroporti i Prishtinës ka marrë rrugën drejt Stambollit, për të vazhduar më pas në Siri.

Sipas aktit akuzues, Haliti i ishte bashkangjitur organizatës terroriste ISIS. I njëjti kishte marrë pjesë aktivisht në veprimtarinë e kësaj organizate për dy muaj.

Në shkurt të vitit 2014, Haliti nga Aeroporti i Stambollit kishte fluturuar në Aeroportin e Tiranës, ku më pas ishte futur në Kosovë.

Gazmend Haliti ka qenë i akuzuar edhe në grupin e njohur si “Badovci”, në të cilin ai më 19 korrik të vitit 2017, bashkë me të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ai ishte dënuar me tre vjet e gjashtë muaj burgim, dënim i cili i është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit. /Betimipërdrejtësi