Në mungesë të provave, shpallet i pafajshëm i akuzuari për grabitjen e 14 mijë eurove në vitin 2006

20190313_131120
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Mars 13, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur të pafajshëm të akuzuarin për grabitje, Mujë Terstena.

Ai akuzohej se gjatë vitit 2006, kishte grabitur 14 mijë euro në shtëpinë e Besim Domit, në lagjen “Velania” në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në arsyetimin e shkurtër, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj tha se nuk është kontestuese që ka ndodhë një grabitje, por sipas saj, në shkresat e lëndës nuk ka pasur prova të tjera përpos deklarimit të të dëmtarit, i cili fillimisht sipas saj, kishte thënë se kanë qenë dy persona me çorape, pastaj ka thënë se rreth 70% ka qenë i sigurt se i akuzuari ka qenë njeri nga ata persona.

Sipas Kuka-Mekaj, dëshmia e Domit, nuk kishte mbështetje edhe në prova të tjera.

Ndryshe, shpenzimet e procedurës lidhur me këtë rast sipas gjykatëses Kuka-Mekaj, bien mbi barrën e gjykatës, ndërsa i dëmtuari Besim Domi, për kompensimin e dëmit është udhëzuar në kontest civil.

Në seancën e kaluar të mbajtur më 12 mars 2019, palët kishin dhënë fjalët e tyre përfundimtare.

Në fjalën e fundit para gjykatës, prokuroria ka kërkuar që i akuzuari të shpallët fajtor, ndërsa i akuzuari dhe mbrojtësi i tij, kishin kërkuar që gjykata të merr aktgjykim lirues.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 28 janar 2016, pretendohet se me 13 janar 2006, në lagjen “Velania” në Prishtinë, me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të luajtshme, vetes ose tjetrit t’i sjell dobi pasurore, i akuzuari Tërstena në bashkëkryerje edhe me dy persona NN, kishin hyrë në shtëpinë e Besim Domit.

Në aktakuzë thuhet se paraprakisht ata kishin pasur informacione se në shtëpinë e të dëmtuarit Domi gjendet një sasi e madhe parash.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Besim Makolli, i cili gjendet në arrati, dhe Mujë Tërstena, të maskuar me çorape në kokë, me të ardhur i dëmtuari në shtëpi e kishin sulmuar me armë, duke e kërcënuar se do ta vrasin nëse nuk vepron sipas urdhrave të tyre.

Tutje, në aktakuzë thuhet se të pandehurit ia kanë lidhur duart dhe e kanë detyruar që ta hap arkën, e cila kishte qenë në katin e parë të shtëpisë, ku i kishin marr stoli, pastaj të dëmtuarit ia kanë vënë një thes të bardh në kokë dhe e kanë hipur në katin e dytë të shtëpisë.

Gjithmonë sipas aktakuzës, pretendohet se pasi të dëmtuarin e kishin hipur në katin e dytë, këmbët ia kishin lidh me konop të fortë, e pastaj kanë filluar të kontrollojnë, demolojnë gjithçka, ku më pas i kanë gjetur të hollat e pazarit ditor, në vlerë prej 14 mijë eurove.

Sipas aktakuzës, paratë kishin qenë të vendosura në një qese, dhe pasi i kanë marrë këto holla, përsëri nën kërcënimin e armës i janë drejtuar të dëmtuarit me fjalën “qiti edhe paratë tjera, 100 mijë euro, ku i ke mshef”.

Sipas aktakuzës, pasi i dëmtuari i ka thënë “se muni mem vra se 100 mijë euro nuk i kam”, kanë ikur dhe e kanë lënë të lidhur të dëmtuarin, dhe duke e kërcënuar që për gjysme ore të mos lëviz nga aty.

Me këto veprime, i akuzuari dyshohet se ka kryer në bashkëkryerje veprën penale “grabitje”, nga neni 255 i KPK-së. /Betimipërdrejtësi