Në mungesë të përfaqësuesit të paditësit, konsiderohet e tërhequr padia për kompensim dëmi nga “Illyria”
Raporton: Genta PAJAZITI
Viti- Për shkak të mungesës së përfaqësuesit të paditësit B.E. avokatit Liman Emini, është konsideruar e tërhequr padia, në rastin ku paditësi ka kërkuar kompensimin e dëmit nga Kompania e Sigurimeve “ILLYRIA” për aksidentin e 2019-ës.
Gjyqtari i çështjes Raif Fazliu konstatoi se në shkresat e lëndës gjendet fletëdorëzimi që vërteton që përfaqësuesit të autorizuar të paditësit, avokatit Musa, më 22 maj 2022 i është dorëzuar ftesa për pjesëmarrje në seancën e sotme, megjithatë i njëjti nuk është paraqitur.
Përfaqësuesi i të paditurës “ILLYRIA”, Ardit Baxhuku kërkoi nga gjykata që padinë ta konsiderojë të tërhequr, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas kësaj, gjykatësi Fazliu, konform nenit 423, pika 3 të Ligjit të Procedurës Kontestimore, e ka konsideruar të tërhequr padinë e paditësit në këtë çështje kontestimore.
Ndërsa, sipas padisë së ushtruar më 22 nëntor 2019, paditësi B.E. po kërkon kompensimin e dëmit material dhe jomaterial nga Kompania e Sigurimeve “ILYRIA” për aksidentin e 30 shtatorit 2019, të shkaktuar nga vozitësi R.M. i cili e ka goditur motoçiklistin B.E., duke i shkaktuar lëndime trupore.
Mbi këtë bazë, përmes padisë paditësi ka kërkuar që t’i aprovohet padia dhe kërkresëpadia dhe që të detyrohet Kompania e Sigurimeve “ILYRIA” që t’ia kompensojë dëmin material dhe jomaterial për aksidentin e lartcekur, me kamatë 8% dhe duke filluar nga data e ngritjes së padisë. /BetimipërDrejtësi