Në mungesë të përfaqësuesit të paditëses, konsiderohet e tërhequr padia për anulim të kontratës së hipotekës

Raporton: Premton SADIKU

Prishtinë – Për shkak të mungesës së përfaqësuesit të “Be Kom” sh.p.k, avokatit Yll Xhiha, i cili pa dhënë arsye kishte kërkuar shtyrjen e seancës, është konsideruar e tërhequr padia, në rastin ku paditësja po kërkon nga Departamenti për Çështje Ekonomike në Gjykatën Themelore në Prishtinë që kontrata e hipotekës e lidhur me “Raiffeisen Bank” sh.a. të anulohet.

Gjyqtari i çështjes Bajram Miftari konstatoi se në seancën e sotme nuk është paraqitur përfaqësuesi i autorizuar i paditësit, avokati Yll Xhiha, i cili përmes një e-maili kishte kërkuar nga gjykata që seanca e sotme të shtyhet, pa dhënë asnjë arsye, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesi i autorizuar i të paditurës, Fatlind Shala, kërkoi nga gjykata që padinë ta konsiderojë të tërhequr, meqenëse përfaqësuesi i paditësit nuk ka dhënë asnjë arsye të vetme për mungesën e sotme, që u aprovua nga gjykata.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 12 nëntor 2018, “Be Kom” sh.p.k. e ka paditur “Raiffeisen Bank” sh.a. për anulimin e kontratës së hipotekës.

Në padi thuhet se paditësi dhe i padituri e kishin lidhur kontratën e kredisë si kontratë kryesore dhe kontratën e hipotekës dhe të pengut si kontrata aksesore.

Gjithnjë sipas padisë, kontrata e kredisë nuk është legalizuar, ndërsa kontrata e hipotekës është legalizuar dhe meqenëse bashkëshortët janë pronarë të përbashkët të pasurisë së fituar gjatë martesës dhe se ½ është pjesë ideale e bashkëshortes së Kujtim Lleshit, e cila nuk ka dhënë pëlqimin për hipotekimin e pronës, për këtë arsye kërkohet anulimi i kontratës së hipotekës, e cila është lidhur në mes kreditorit Raiffeisen Bank dhe debitorit Kujtim Lleshi. /BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë