Në mungesë të përfaqësuesit të ATK-së dhe me kërkesë të avokatit, shtyhet gjykimi për shmangie nga tatimi

Raporton: Florentina OSMANI

Podujevë- Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, në mungesë të përfaqësuesit të ATK-së dhe me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Muharrem Deshishku, avokatit Qendrim Zogaj, është shtyrë gjykimi për shmangie nga tatimi në vlerë prej 226 mijë e 365 euro e 28 centë, të “XENI” sh.p.k, pronar i së cilës është i akuzuari.

Sipas gjykatësit të çështjes, Gazmend Bahtiri, përfaqësuesi i ATK-së ndonëse është ftuar në mënyrë të rregullt, mungesën nuk e ka arsyetuar në asnjë lloj forme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, i akuzuari Deshishku hoqi dorë nga leximi i aktakuzës, nga prokurori Ali Ajdini, që e përfaqësoi aktakuzën në gjykimin e sotëm.

I akuzuari Deshishku, njëlloj si në gjykimet e kaluara në lidhje me këtë rast u deklarua i pafajshëm.

Mbrojtësi i të akuzuarit Muharrem Deshishku, avokati Qëndrim Zogaj, pas deklarimit të klientit të tij, kërkoi nga gjykata që për shkak të gjendjes shëndetësore jo të mirë, të shtyhet gjykimi i sotëm.

“Nuk mund të ofroj mbrojtje në këtë gjendje shëndetësore”, deklaroi avokati Zogaj.

Në këto rrethana, gjykatësi Bahtiri ndërpreu shqyrtimin e sotëm gjyqësor, si dhe të njëjtin e caktoi për datën 2 dhjetor 2021.

Gjykatësi bëri të ditur se lidhur me seancën e radhës, ky komunikim verbal do të vlejë në vend të ftesës për palët prezentë, ndërsa do të ftohet e dëmtuara.

Po ashtu, gjykatësi Bahtiri, me procesverbal kërkoi nga prokuroria që para seancës së ardhshme të precizohet saktësisht koha e kryerjes së veprës penale, qoftë me parashtresë apo në shqyrtimin e ardhshëm.

Ndryshe, sipas aktakuzës së datës 18 prill 2016, Muharrem Deshishku akuzohet se me qëllim të shmangies nga pagimi i obligimeve tatimore të përcaktuara me legjislacionin tatimor, në cilësinë e pronarit të objektit afarist “XENI” sh.p.k, me seli në fshatin Bellopojë, Komuna e Podujevës, veprimtaria e të cilit është tregtia me shumicë dhe pakicë e produkteve bujqësore, plehrave kimike, dritherave, farave dhe ushqimeve për bagëti, gjatë periudhës kohore 2007-2012, duke i fshehur faktet, nuk ka deklaruar në tërësi në Administratën Tatimore të Kosovës qarkullimin që e ka pasur në kuadër të aktivitetit të tij ekonomik dhe si rezultat i kësaj i është shmangur pagimit të tatimit bazë.

Sipas kësaj aktakuze, shuma e tatimit bazë të shmangur është në vlerë prej  226 mijë e 365 euro e 28 centë.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi” nga neni 249. par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. PranoLexo më shumë