Në mungesë të palëve shtyhet seanca në rastin ku paditësja po kërkon anulimin e vendimit të MPMS-së

Raporton : Elsa KOLLQAKU

Prishtinë – Të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, ka dështuar të mbahet seanca në rastin ku F.S ka paditur Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), lidhur me vendimin e lëshuar nga e njëjta.

Gjykatësja e rastit, Vjollca Limani, deklaroi se seanca e sotme nuk ka qenë e mundur të mbahet me arsyetimin se padia ka filluar mbi bazën e heshtjes administrative dhe ndërkohë e paditura MPMS, me përgjegje në padi ka bashkangjitur edhe vendimin e shkallës së dytë.

Tutje, gjykatësja Limani tha se me qenë se paditësja nuk është prezentë në seancë dhe e njëjta duhet të deklarohet në lidhje me këtë seanca e sotme shtyhet dhe varësisht nga deklarimi i të njëjtës do të vazhdohet me trajtimin e lëndës.

Ndryshe, sipas gjykatëses Limani, palët janë ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e kanë arsyetuar.

Sipas padisë së ushtruar më 17 dhjetor 2019, paditësja po kërkon nga Gjykata Themelore, anulimin e vendimit të MPMS-së, me të cilin i është refuzuar ankesa në kompensim për personat e verbër.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet bazuar në vlerësimin e Komisionit Mjekësor te shkallës së dytë te MPMS-së, i përbërë nga mjeke specialist të lëmisë përkatëse, të cilët kanë shqyrtuar ankesën si dhe dokumentacionin mjekësor të parashtruar në lidhje me gjendjen shëndetësore të paditësit, ka konstatuar që nuk janë plotësuar kushtet ligjore për njohjen e të drejtës për kompensim- statusit të personit të verbër.

Paditësja me padi pretendon se i ka plotësuar kushtet në bazë të nenit 6.1 të Ligjit NR.04/L-092 për Persona e Verbër./BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë