Në mungesë të paditëses konsiderohet e tërhequr padia ku e njëjta po kërkon kompensimin e shpenzimeve të ushqimit dhe shpërblimin jubilar

Raporto: Adelina Ajeti

Gjilan- Në mungesë të përfaqësuesit së paditëses L.V, avokat Jeton Ibrahimi, gjykata konstatoi si të  tërhequr padinë, ku paditësja po kërkon kompensimin e shpenzimeve të ushqimit dhe shpërblimin jubilar në vlerë prej 1.385,88 euro.

Vendimin për konstatim si të tërhequr të padisë e mori gjyqtari Blerim Beshtica në Gjykatën Themelore në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Para fillimit të shqyrtimit kryesor, gjyqtari Beshtica njoftoi se përfaqësuesi i paditëses L.V, avokat Jeton Ibrahimi është ftuar në mënyrë të rregullt por mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.

Përfaqësuesi i të paditurës Komuna e Gjilan, Burim Maliqi tha meqenëse përfaqësuesi i paditëses L.V mungon, i ka propozuar gjykatës që padia e paditëses të konsiderohet e tërhequr.

Gjyqtari Beshtica njoftoi se në bazë të nenit 423 të Ligjit të Procedurës Kontestimore, ka marrë vendim që konstatohet e tërhequr padia e paditëses L.V. kundër palës paditëse Komuna e Gjilanit.

Për këtë gjykata do të përpiloj vendim të veçantë.

Sipas padisë, për kompensimin e shpenzimeve të ushqimit dhe shpërblimin jubilar me vlerë të kontestit 1.385.88 euro paditësja L.V, ka të themeluar marrëdhënie pune tek e paditura, është punësuar si pastruese në institucionin arsimor: IP-“Integj” Gjilan, sipas kontratës së lidhur me afat të pacaktuar. Paditësja vazhdon punën si pastruese në këtë institucion si dhe ka përvojë të punës në arsim prej 10  vitesh.

Në padi thuhet se paditësja sipas urdhër pagesës të lëshuar nga Ministria e Financave ka marre pagë në shumë prej 287.76 euro. E paditura, paditëses sipas fuqisë ligjore, ka qenë dashur që në përputhshmëri me nenin 35 paragrafi 8, pika 8.1 Kontratës Kolektive të Arsimit në Kosovë të ja kompensojë shumën për shpërblimin jubilar në vlerë prej 141.88 euro, ngase në këtë nen theksohet se “punëtorët e SBASHKU-t në vitet jubilare përfitojnë shpërblimin jubilar nga punëdhënësi fundit për 10 vjet të përvojës punës në vlerë prej 50% të një page bazë, ngase e paditura ka përvojë pune prej 10 vitesh.

Po ashtu, e paditura nuk ka kompensuar edhe shpenzimet e ushqimit, në përputhshmëri të nenit 35 paragrafi 7 ku ka qenë e obliguar që të ja paguajë shujtën e ushqimit në vlerë prej 2 euro për një ditë punë, për periudhën kohore 2017 deri me 2020./BetimipërDrejtësi.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë