Në mungesë të paditëses dështon të mbahet seanca për kthim në vendin e punës

Raporton: Ronesa DRAGUSHA

Prishtinë – Në mungesë të paditëses L.Sh, ka dështuar të mbahet seanca ku e njëjta po kërkon kthimin në vendin e punës nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) dhe nga Drejtoria Komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale e Komunës së Prishtinës.

Mungesën e paditëses Sh., e ka konstatuar gjykatësi Dardan Kadolli, i cili ka thënë se e njëjta është ftuar përmes tabelës së shpalljeve, pasi që në seancën e kaluar adresa e saj kishte rezultuar e panjohur.

Në këtë seancë ishte prezentë përfaqësuesja e të paditurës QKMF-së, Nebahate Zekaj, e cila ka deklaruar se mund ta siguroj adresën e paditëses, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu në këtë seancë ishte prezent edhe përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës, Bajram Dili.

Gjykatësi Kadolli ka konstatuar se nuk ka kushte për tu mbajtur seanca, andaj paditësja Shala do të ftohet në adresën e siguruar.

Seanca e radhës është caktuar për 7 shtator.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë me aktgjykimin e 26 majit 2017, kishte refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e paditëses L.Sh, për të cilin e njëjta ka ushtruar ankesë brenda afatit ligjor.

Gjykata e Apelit lidhur me ankesën e paditëses Sh., me aktvendimin e 27 korrikut 2020, kishte vendosur ta aprovojë si të bazuar ankesën, ka prishur aktgjykimin e lartcekur dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim.

Ndryshe, me padinë e 29 prillit 2014, L.Sh ka paditur Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë dhe Drejtorinë Komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Prishtinë, për kthim në vendim e punës.

Sipas padisë, thuhet se paditësja ka krijuar marrëdhënie pune në kohë të pacaktuar me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare si mjeke stomatologe e praktikës së përgjithshme. Kurse, e njëjta ka filluar specializimin e ortopedisë së nofullave, sipas kontratës për punë për specializantë, e lidhur më 2 prill 2001, e cila ka zgjatur deri më 5 janar 2005.

Në padi thuhet se me këtë kontratë është parashikuar që paditësja pas kryerjes së specializimit do të jetë e detyruar të punojë me orar të plotë të punës, pa ndërprerje për Shërbimin Publik Shëndetësor të Kosovës për së paku pesë vite, në të kundërtën do t’i kthejë të gjitha pagat e pranuara gjatë kohës së specializimit.

Tutje, paditësja Sh. përmes padisë pretendon se menjëherë pas specializimit është kthyer në vendin e punës, por nga personat kompetentë të QKMF ka kuptuar se është liruar nga detyrimet kontraktuese dhe në të ardhmen mund të krijojë marrëdhënie pune vetëm përmes konkurseve të shpallura nga e njëjta.

Gjithashtu, në padi thuhet se paditëses nuk i është dorëzuar fare vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, prandaj e njëjta u paraqit në procedurë jashtëgjyqësore për kthimin në vend të punës, por për të cilën nuk mori përgjigje.

Mbi këtë bazë, paditësja Sh. ka kërkuar që të aprovohet padia dhe kërkesëpadia e saj, të detyrohet QKMF në Prishtinë dhe Drejtoria Komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale që të njëjtën ta kthejë në vendin e punës, me të gjitha të drejtat nga marrëdhënia e punës.

Kurse, sipas përgjigjes në padi të paraqitur më 23 tetor 2016 nga QKMF – Prishtinë thuhet se paditësja L.Sh ka lidhur kontratë pune me Departamentin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ku edhe ka fituar të drejtën në specializim katër vjeçar nga ortopedia e nofullave, me të cilën edhe njëherit edhe ka rregulluar financimin e edukimit specialistik, si dhe pagën mujore.

Në përgjigje në padi, e paditura thotë së në kohën kur paditësja ka lidhur kontratën për specializim, ka shkëputur marrëdhënien e punës me të paditurën QKMF dhe ka lidhur kontratë me Departamentin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Tutje, QKMF  në përgjigje në padi thotë se sipas Udhëzimit Administrativ për Shëndetësi, kur mjekët pranojnë ofertën për trajtim specialistik nga Departamenti i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ata duhet të përfundojnë çdo tentim të punëdhënësit të mëparshëm për punësim dhe nuk duhet lidhur asnjë kontratë që obligon në të ardhmen.

Sipas përgjigjes padi, e paditura QKMF në Prishtinë ka konsideruar se nuk ka asnjë obligim ndaj paditëses, prandaj edhe ka kërkuar që të refuzohet padia dhe kërkesëpadia e paditëses Sh./BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë