Në mungesë të avokatit, shtyhet gjykimi për shitblerje të narkotikëve

Raporton: Agnesa HASANI

Mitrovicë – Mungesa e mbrojtësit të të akuzuarit Arber Thaqi, avokatit Shyqyri Syla ka bërë që të shtyhet shqyrtimi i së enjtes, në rastin ku Thaqi po akuzohet për shitblerje të narkotikëve.

Lidhur me mungesën e avokatit, i akuzuari Thaqi tha se sipas autorizimit e kishte angazhuar avokatin Shyqyri Syla, mirëpo i njëjti kishte kërkuar që të zëvendësohej nga një avokat tjetër për këtë seancë, por një gjë të tillë nuk e kishte pranuar i akuzuari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, i akuzuari Thaqi kërkoi nga gjykata që t’i caktohet një avokat sipas detyrës zyrtare.

Lidhur me kërkesën e të pandehurit, gjykatësi Radosllav Markoviq mori aktvendim me të cilin u vendos që për shqyrtimin e ardhshëm të caktohet një avokat sipas detyrës zyrtare, të cilin do ta caktojë Oda e Avokatëve.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, shqyrtimi i sotëm u shty dhe i njëjti u caktua të mbahet më 19 janar 2022.

Ndryshe në seancën e sotme prezent ishte edhe prokurori Njazi Rexha.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 25 shkurt 2021 kishte përpiluar aktakuzën kundër Arber Thaqit, i cili ngarkohet se më 12 gusht 2020, në rrugën “Sofra” ne fshatin  Kçiq i Madh, Komuna e Mitrovicës, pa autorizim e me qëllim shitje ka poseduar substanca narkotike të llojit “Marihuanë”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Arber Thaqi derisa drejtonte veturën e markës “Opel Corsa” është ndalur nga njësiti i DHTN-së jugu në Mitrovicë dhe pas legjitimimit dhe kontrollimit në bagazhin e veturës te vendi i gomës rezervë është gjetur një qese e madhe me substancë narkotike marihuanë me peshë rreth 970.64 gram dhe para të gatshme euro në xhepin e të pandehurit, në shumë prej 3 mijë e 900 euro, ndërsa në fijokun e pasagjerit te veturës janë gjetur para të gatshme në shumë prej 496 euro, të cilat janë sekuestruar nga policia.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 paragrafi 1 të Kodit Penal, e lidhur me nenin 275 paragrafi 1 pika 1.9 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me gjobë se me burgim prej dy deri në tetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë